Shkruan: Jakup SHYTI
KUJTIME NGA JETA IME RINORE
Më kujtohet koha e viteve rinore, atëbotë e adhuroja lirinë si një pëllumb në hapësirë. Ëndërrimet rinore nga fusha të ndryshme të jetës dëshiroja t´i realizoja sa më parë për aq sa ishte e mundur, zakonisht qëndroja në odën e të parëve i dëgjoja bisedat e babait me mysafirët, ishte për mua tejet e këndëshme por edhe e hidhur njëkohësisht t´i dëgjoja disa biseda për të cilat thoshin burrat janë " jasak", turq, do të thotë: të ndaluara.
Babai im Nasufi, ishte punëtor i madh, njeri fjalëpak i urtë dhe i heshtur, gjithmonë më dukej se diçka të madhe e të paarritshme po ziente nga brenda në shpirtin e tij; nga kjo mund të konstatoja se edhe bashkëbiseduesit e tij kishin një preokupim të njëjtë dhe një brengë po aq të madhe e cila një ditë do të shpërthente si vullkan në mos prej tyre mesiguri prej pasardhësve të tyre, pra prej breznive të reja. Xhaxhai im Jusufi, ishte një mesoburrë i vendosur, i sinqert dhe trim, këto karakteristika i kishte dëshmuar në jetë e në veçanti gjatë Luftës së Dytë Çlirimtare, nën udhëheqjen e Komandantit legjendar, Shaban Polluzhës- ishte dëshmuar trim i paepur, në Tregun e Ri (Novi Pazar) kundër kriminelëve çetnik të Drazha Mihajloviqit; siç rrëfente plaku i urtë, bashkëluftëtari i tij Hajzer Tafa Shyti: "Jusufi gjatë luftimeve të rrepta, ngritej nga istikami deri përmbi brez e vendoste mauzeren në faqe dhe hapte zjarr pa ndalë, shpesh i thoshim ruaju, por Ay na e këthente: "o pasha besën, sot po më hjek zemra me vdekë me këta qafira", bisedat vazhdonin: dhe rrëfimin e mbaronte me lot në sy, për vëllaun Muharremin, i cili kishte ra heroikisht në fushën e nderit, në beteja të rrepta në Tregun e Ri në dimrin e egër të vitit 1942. Vlenë për t´u kujtuar që me t´i kuptuar ngjarjet më thellë, dikur fillova të hyja në biseda edhe unë, pastaj kisha prirjen t´i kundërshtoja ata që flisnin me servilizëm e lojalitet për të huajt, pra për okupatorët jugosllavë, prandaj shpesh babai më këshillonte: biri im kujdesu gjatë bisedave se armiku i dëgjon bisedat tona, pastaj na dalin telashe me rregjimin.
Përse vinte kjo drojë e tij më vonë e kuptova që: xhaxhain tim luftëtar gjatë rregjimit të egër titisto-rankoviqist, pikërisht gjatë aksionit famëkeq të armëve e kishin maltretuar e munduar së tepërmi për dorëzimin e armëve, UDB-ja famëkeqe. Bile, prej kohësh Ay vuante nga ato pasoja, ndërsa në pleqëri ende pa i mbushur të 60-tat, mori një paralizë dhe u verbua-kuptohej kjo qe trashëgimia e vuajtjeve gjatë luftës dhe në vitet e robërisë serbomadhe. Të parët tanë ishin ata, që e mbollën tek breznitë e reja idenë e urrejtjes kundër okupatorëve dhe dëshirën e madhe për punë, dituri e liri.
Ata, jetuan e vepruan gjatë tërë jetës së tyre tepër mizerable, me krenari e nderë. Ata, edhe në kohët më të rënda të terrorit, nuk ua këthyen shpinën vatrave stërgjyshore as nuk iu gjunjëzuan kurrën e kurrës armikut. Vitet kalonin ndërsa vreri i viteve rinore po rritej, kur i isha 17 vjeçar, pa hezitim përfytesha me fqinjët tanë serbo-malazezë të cilët ishin ardhacakë në trojet tona, i urreja fort dhe nuk dëshiroja t´i shihja me sy atypari në katundin tim, e dëshiroja t´i shihja në theqafje përtej katundit tim, dhe jo vetëm kaq; po edhe përtej Atdheut, të iknin andej nga kishin ardhur, nga Serbia, Mali i Zi apo nga Rusia.
Për më tepër urreja rritej sepse silleshin si të ishin zotër në vendin tonë, bile ata gëzonin atëbotë shumë privilegje në të gjitha etapat e rregjimit titisto-fashist, siç dukej rregjimi me këto donte t´i mbante qëllimisht që ta serbizonte Kosovën dhe Vise të tjera shqiptare. Mirëpo, padrejtësia historike mund të vonohet, ajo s´është e përjetshme, pra s´ka se si të mos pësoj fiasko, me arritjet e sukseseve tona në fushën e shkencës të artit dhe kulturës shqiptare, okupatorëve u rrëshqitën rrenat dhe tradhtitë nga duart, rinia jonë u ndërgjegjësua që ta njihte mikun dhe armikun, pastaj koha vërtetoi se rezistenca jonë po rritej edhe me ndihmën e shtetit amë Shqipërisë së Përtejdrinit, kjo u kurorëzua me Luftën Çlirimtare e cila u fitua me ndihmën e vëllezërve tanë të një gjaku, të një flamuri e të një gjuhe- Shqipërisë dhe aleatëve tanë të vendeve demokratike. Mirëpo, s´guxojmë të harrojmë se për t´u arritur këto fitore u desht shumë djersë e gjak, në burgje dhe llogore.
DEMONSTRIMI ARRESTIMI DHE BURGOSJA IME SHUMËVJEÇARE
Pranvera e Madhe ´81, më gjeti ashtu të përgaditur fizikisht dhe të ndërgjegjësuar kthjelltësisht, për gjendjen që po kalonte kombi im i shumëvuajtur. Prandaj, pa hezitim u hodha në ballë të demonstruesve që po kërkonin fuqishëm, pra me rezistencë paqësore që Kosova të avancohej me statusin e Republikës së Pavarur. Në qytetin tim të dashur në Vushtrri, kishte shpërthyer demonstrata, unë atëbotë isha punëtorë në NP "Kosova" të Vushtrrisë, në sektorin e Ndërtimit, bile ato ditë punonim në rrethinën e Vushtrrisë, pikërisht në katundin Liqe j(ish Bukoshi) por duke e parë fluturimin e aeroplanëve luftarakë dhe duke e dëgjuar uturimëm si të lubive, gjithashtu me të marrë lajmin për zhvillimin e demonstratave me një shokun tim të punës , Hilmi Muzaqin, jemi hipur shpejt në një motorr dhe si vetëtima brenda një çerek minutash kemi arritur në Vushtrri, jemi bashkuar me atdhetarë e atdhetare, pothuaj me orë të tëra jemi ndeshur për jetë a vdekje me xhelatët e Beogradit. Ne, demonstruam paqësisht, por ata për tri ditë me radhë, prillin gjelbërosh e këthyen në prill të kuq, nga gjaku i popullit tonë liridashës. Ishim mbledhur tremijë demonstrues: nxënës, studentë, punëtorë intelektualë përparimtarë, të rinj dhe të reja, kishte edhe të moshuar që rezistenca jonë ua këthente rininë prandaj hidheshin pa hezitim me ne e ta bënin vdekjen si me le. Ne, brohorisnim pa frikë "Republikë, Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë", "Lironi shokët nga burgjet", "Trepça punon, Beogradi ndërtohet" e të tjera kërkesa tepër legjitime.
Pa vonesë, pas 15 minutash pasoi urdhëri i policicë, për tërheqjen tonë, sepse ne ishim drejtuar nga stacioni i policisë okupatore. Më kujtohet që përkrah i kisha Dinore Currin dhe Bali Veliun. Filluan arrestimet e para të shokëve, pastaj përpjekëjet tona ultimative për lirimin e tyre, dialog mjaft i zjarrtë me policinë vendore-shqipfolëse: ose na i lironi shokët ose demonstrata do të merr edhe më tej zgjerim dhe ashpërsi; ata nuk bindeshin dot, prandaj ne e sulmuam stacionin e policisë, fyta-fyt unë dhe Nebi Sejdiu dhe disa të tjerë arritëm ta thyejmë kordonin, shkuam brenda në kuesturë, hyjmë tek qelitë por fatkeqësisht shokët s´i gjetëm aty, ato ishin të zbrazura, kemi dalë me shpejtësi, i kemi lajmëruar demonstruesit që shokët s´janë brenda, tani veç po errësohej, prandaj duhet të shpërndahemi, sepse demonstrata e ka erritur qëllimin plotësisht. Urdhëri: nesër të gjithë në demonstratë!
Në ora 21.30 kam shkuar në shtëpi, i kam dëgjuar lajmet në TVP, me ç´rast paraqiteshin pamje nga demonstratat në të gjitha komunat e Kosovës. Pastaj, kuislingët, Fadil Hoxha dhe Xhavit Nimani, janë paraqitur në TVP, me ç´rast i dënuan si mos më ashpër demonstratat; janë të njohura llomotitjet e tyre prej tradhtarësh e puthadorësh të serbomëdhenjëve. Ata, mjeranë politikë e mbronin pushtetin e huaj për një kolltuk, për një copë kafshate- si qentë në pleqëri të thellë; lehnin për shtëpinë e huaj, por ciatjeve të tyre dhe gjëmave makabre, populli s´ua vinte veshët. Ne, ishim të vendosur, ta shpiejmë përpara Revolucionin. Të nesërmen kam zbritur në qytet, në hyrje jemi ndeshur me një kontrollë rutinore" nga policia, por isha i vendosur që gjallë o vdekur të hyja dhe t´a organizoja demonstratën ashtu siç e kishim besën!... Me të hyrë në qytet, filluam të tubohemi grupe-grupe dhe në të dalë të Fabrikës së Ngjyrave, u bëmë shumë, sepse na u bashkuan edhe disa punëtorë, kur papritur po vinte drejt nesh një kamion me targa të huaja, ishin të Kragujevacit, pasi tentuam ta ndalojmë, shoferi nuk ndalej, tentoi të na shkelë ne demonstruesve, pasi u revoltova së tepërmi e kam marrë si vetëtima një gur dhe e kam qëlluar shoferin në ballë, qeni serb udetyrua ta ndalë kamionin, ia kemi hapur derën, horrën e kishte mbuluar gjaku i pistë okupator, më dukej se po e ndyente tokën tonë; i kam thirrë: "ik prej kësaj toke, se këtu është Shqipëri e jo Serbi; dinaku serbomadh paraqitej se ishte i alivanosur, por s´kishte qenë i tillë, ne nuk deshëm ta vrasim, prandaj me t´u liruar e ndezi makinën dhe iku me shpejtësi drejt Mitrovicës.
Pastaj, me Hilmi Muzaqin dhe Dinore Currin e të tjerë, jemi nisur drejt shkollës së mesme "Ali Kelmendi", pastaj tek Fabrika e Konfeksionit, atëherë quhej "Poleti", aty jemi ndeshur me polici; ata na thoshin se në fabrikë nuk ka mbetur asnjë punëtorë, pastaj ka ardhur një mik i Hilmi Muzaqit,(emri s´më kujtohet), i cili na këshilloi që t´i nxerrim nxënësit nga shkolla, punëtorët nga fabrikat sepse kanë ardhur shumë ushtri dhe polici nga Serbia, ata po grumbullohen , duan t´i zënë pozitat kyqe në rrugë, pra të na shpërndajnë. Ashtu, guximshëm, stuhishëm jemi ndeshur me ta, kanë filluar të na hedhin lotësjellës- gazra helmuese, një demonstrueseje i ka rënë të fikët nga lotësjellësit, një djalosh nga Prellovci ua këthente flakë për flakë këto gazra turinjëve, si derrave por i kemi qëlluar edhe me gurë e sende të tjera e kemi thyer kordonin e tyre, kemi hyrë në qendër të qytetit duke brohoritur fuqishëm parulla revolucionare. Kemi qëndruar deri në mbrëmje. Gjatë tërheqjes e kemi kuptuar që një shok yni është rrethuar keq nga policia, duhej vepruar shpejt për lirimin e tij; rreptë e kidnapuam një polic, me të cilin e kushtëzonim lirimin e shokut. Pa u vonuar e kemi futur atë "argat të dreqit" në disa gypa uji, kemi hedhur gur mbi gypa, vetëm atëherë policët horra, të alarmuar u detyruan ta lirojnë shokun tonë.
Pastaj, kemi shkuar në shtëpi, në mbrëmje vonë, poashtu edhe të nesërmen jemi ndeshur fyta-fyt me polici; tri ditë qëndresë për mijëra vite shpresë. Po, pastaj do të vinin kohë të vështira: menjëherë pas mbarimit të demonstratave rregjimi kriminal i Beogradit e vendosi në Kosovë gjendjen policore që do të thoshte: ngulfatje e të drejtave njerëzore, jetë nën pushtetin e dhunës-nën rregjimin ushtarak. Egërsisht, filluan burgosjet, maltretimet mbi shtresat e gjëra popullore: rinisë, punëtorëve dhe intelektualëve përparimtarë të cilët i kishin organizuar dhe zhvilluar demonstratat; grupet ilegale po ndiqeshin si në vitet e ikuizicionit. Kjo, krejt natyrshëm pritej t´na ngjante mua dhe shokëve me të cilët i kisha organizuar dhe zhvilluar demonstratat. Kështu që, në një ditë të bukur pranvere ia arritën uniformat blu, të policisë gjakpirëse jugosllave; në Ashlan , në shtëpinë time thellësisht u thye kënaqësia e punës asaj pranvere; me të trokitur në dyert tona e kuptuam qëllimin e vizitës së hijenave. Fillimish, ata u paraqitën kinse nuk do ta burgosim Jakupin, vetëm do ta marrim në " një bisedë informative"; t´ua them të drejtën të nderuar lexues, këtë në fillim s´e pranova , mirëpo , ata më kërcnuan se po që se nuk dorëzohet i Jakupi - ne do ta burgosim ndonjërin nga vëllezërit, deri sa të paraqitet i akuzuari tek ne.
Duke i parë rreziqet, për hirë të familjes u dorëzova- fillimisht më lidhën me pranga, më kërcnuan që" po të tentosh të ikësh do të të vrasim"; jo nuk do të tentoj ua këtheva- si mund të iku i lidhur?! Pas një çerek ore u gjenda në kuesturën e tyre, në Vushtrri, pastaj në çeli. Aty, më ranë në sy disa fytyra të njoma, në mesin e tyre qëndronte një vajzë trimëreshë e cila bisedonte me shokët. Pas pak hyri një person me një revole në dorë i cili na thoshte: "ju tentuat ta përmbysni këtë shtet". Ne, Qëndronim të patundur dhe e mbronim kërkesën që Kosova të bëhej Republikë. Pas shumë maltretimeve, na dërguan në burgun më famëkeq të Kosovës, në Mitrovicë, i cili ishte, bërë "nikoqir" për rininë revolucionare të Kosovës. Aty, gjatë hetuesisë kemi përjetuar maltretime fizike e psiqike, na kanë kërcnuar edhe me pushkatim. Pas disa muajsh u caktua dita e gjykimit, të grupit tonë, në gjyqin e qarkut në Mitrovicën e Kosovës, kanë qenë: Ismet Emra, prokuror publik, Kapllan Baruti, pjesëmarrëse në gjykatë ka qenë Fëllënza Kadriu, grupi ynë u dënua me kohëzgjaje prej 6 muaj deri në 8 vjet, ishin shokët: Nazmi Hyseni, nga Vushtrria, u dënua me 4 vite, Bajram Latifi, nga katundi Bazhlan, u dënua 5 vite, Bislim Bajrami, nga katundi Dumnicë e Vushtrrisë, u dënua me 5 vite, Nebih Sejdiu, nga katundi Prellovc, nga komuna e Vushtrrisë, u dënua me 5 vite, Xhevat Deliu, nga katundi Dumnicë e Vushtrrisë, u dënua me 6 vite, Zeqir Murati, nga katundi Bequk i Vushtrrisë u dënua me 5 vite.
Unë, jam dënuar me 8 vite, prej të cilave 6 i kam mbajtur, një vit në Kosovë, 5 në burgun e Pozharavecit. Në gjyq jemi mbrojtur fuqishëm, me argumente të pathyeshme, e kemi mbrojtur idenë që Kosova të bëhej Republikë. Pastaj me t´u mbaruar paraqitja e dënimit-të gjithë si një zë i vetëm, me grushta lart, kemi brohoritur fuqishëm: Rroftë Republika e Kosovës! Kjo i ka tmerruar xhelatët titistë, por i ka forcuar zemrat e familjeve tona dhe të atyre atdhetarëve që asistonin në gjyq!... Me ne qe solidarizuar vëllai im i nderuar Vehbiu, i cili e ka ngritur grushtin në shenjë përkrahjeje. Vehbiu, ka qenë i vënë në shënjestrën e UDB-së, për vite me radhë. Pas disa ditësh, na transferuan nga Mitrovica, në burgun famëkeq të Pozharavecit- kjo qe për ne dita më e rëndë e jetës sonë. Po largoheshim të lidhur nga Kosova Kreshnike, të cilën po e lenim poashtu të lidhur nga këthetrat e robërisë serbomadhe. Atje, shumë nga ne e kemi humbur shëndetin, por me qëndresën tonë e kemi nderuar shtetin e Kosovës. Torturat na kanë forcuar më tej, për beteja të reja, burgun e patëm këthyer në kala qëndrese dhe në shkollë, për ta zënë hapin e jetës, në fushën e luftës dhe të diturisë. Dëshmi të pakufishme kemi për këtë; mirëpo këtu do të përpiqem t´i paraqes disa nga kujtimet e hidhura dhe krenare, tash pas 20 vitesh, tani kur jemi në agun e dytë, të hapit të parë të lirisë. S´e kam aspak të lehtë t´i përkujtoj ato 6 vite tepër dramatike e aq më pak në një tregim modest si ky, por edhe kalimi i viteve: kam drojë që mund t´i lë pa i shënuar ato që s´do të dëshiroja t´i harroj. Fillimisht, dua të shprehi respektin e pakufishëm ndaj dëshmorëve të lirisë Afrim Zhitia dhe Fadil Vata, me të cilët pata fatin për të kaluar një pjesë të jetës së bashku në burg. Lavdi!- pastaj dua t´i përshëndes shokët e idealeve e të luftës çlirimtare me të cilët isha në burg: Veteranin e luftës ilegale për liri, Ismail Haradinin, Bardhyl Mahmutin, Mehmet Bislimin, Sherif Krasniqin, Afrim Hotin, Sami Kurteshin, Beqir Beqën, Ibrahim Xhemailin, Imer Hasanin nga Kosova Lindore, Reshat Avdiun, Halil Selimin e të tjerë që tani s´po më kujtohen, por kurdoherë i kam në mendje e në zemër. Tani, do të përpiqem t´i paraqes disa kujtime nga jeta mizerable në burgun famëkeq të Pozharavecit. Aty, kam takuar shumë të rinjë e të reja atdhetarë, me të cilët e kemi ndarë kafshatën e gojës, e kemi ndarë dhembjen e krenarinë, e kemi këmbyer me njëri- tjetrin qëndresën dhe durimin përballë bishave serbomadhe.
Ata, na torturonin fizikisht dhe psiqikisht, duke e bërë këtë përpiqeshin t´ na thenin moralin dhe qëndresën tonë luftarake, të na e thyejnë besën dhe nderin shqiptar, të na robërojnë jo vetëm përkohësish me vite burgu, por edhe tërë jetën, duke e ndier pastaj peshën e pendimit apo të turpit. Pra, para nesh shtrohej alternativa e qëndresës apo kishte rrezik të shkonim drejt degjenerimit shpirtëror dhe moral. Fatbardhësisht, falë përgaditjes tonë ideologjike, morale kombëtare armiku, kurrë s´ia ka arritur t´i realizoj objektivat e tij makabre. ata, me kërcnime deri në pushkatim kanë tentuar të na shpiejnë në rrugën e pendimit, kjo çonte në rrugën e tradhtisë; mirëpo ne , më parë e preferonim vdekjen me nderë , se jetën me turp!
Ne, kishim dëgjuar për qëndresën heroike të atdhetarëve tanë burgjeve titiste: Fazli Grejqevcit, Shaban Shalës, Metush Krasniqit, Ahmet Haxhisë, Xhemajli Berishës, e të tjerëve atdhetarë, të cilët qëndruan në tortuarat më antinjerëzore, jetën e flijuan në altarin e lirisë, por nuk u dorëzuan si qyqarë, përballë xhelatëve serbomëdhenjë. Kjo, qe për Ne, një mësim i madh, që të mbahemi të fortë si revolucionarë! Ndërsa, për durimin e viteve të burgut në aspektin kohor, shembull qëndrese e kishim bacë, Adem Demaçin me shokë. Vlenë të theksohet që: përkundër se ishim dënuar, hetimet rrinin mbi ne si shpatë, ata përpiqeshin që çdo herë të na zbulonin diçka që siq thoshin "nuk keni treguar gjetë hetuesisë fillestare në Kosovë", natyrisht kërkonin të tregonim të tjerë shokë apo shoqe me të cilët kishim vepruar.
Më kujtohet një i burgosur shqiptarë i cili prej torturave ishte sëmurë rëndë, quhej Ibrahim Krasniqi, atij i thoshin: ose trego me cilët shokë ke vepruar, ose do të të mbysim këtu në burg, mirëpo burri i fortë nuk jepej dot. Pas sëmurjes së rëndë që e përjetoi, erdhi një mjek dhe e vizitoi sa për sy e faqe; pasi ikën nga dhoma Ay, iu afrua shokut, Afrim Hoti, nga Krusha e Madhe e po i thoshte: " Edhe nëse më vjen vdekja, aspak nuk mërzitem, veç për një çështje po mendoj: athua si do të vendoset Çështja e Kosovës", posa i përfundoi fjalët që e kishin një ndjenjë qëndrese dhe lamtumirëse; në dhomë arritën dy gardianë të cilët e urdhëruan Ibrahimin, t´i merr rrobet dhe gjësendet, sepse- siç i thoshin, do të të dërgojmë në Ambulancën e burgut; unë dhe Afrim Hoti, i kemi ndihmuar të përgaditet dhe i jepnim kurajo që të mos mërzitej por të qëndroj se si do që të ndodhë, ne do t´i njoftonim familjet tona, gjatë vizitës. Mirëpo, pas ca ditësh mësuam se shoku Ibrahim, nuk ishte në Ambulancën e burgut, por e kishin transferuar në burgun qëndror të Beogradit.
|
|
Pas pak kohe, me sa më kujtohet, ishte viti 1983, në burg ka ardhur një grup nga Drenica, me bacin Sherif, nga komuna e Drenasit. Me ardhjen e tyre jemi forcuar edhe më tej, drejtoria e burgut është alarmuar: ata kishin lajmëruar se kanë ardhur këtu një grup i fortë i nacionalistëve shqiptarë nga komunat e Drenasit dhe Skënderaji, që nuk po i përfillin fare rregullat e burgut; kështu që atij viti, jemi dënuar me mbyllje nga 30 ditë, në çelitë e burgut, të parët ne të burgosurit politik, shokët: Bardhyl Mahmuti, Mehmet Bislimi, Sherif Krasniqi dhe Unë. Me shokët, Bardhyl Mahmuti dhe Sherif Krasniqi, jam njoftuar për herë të parë në çeli. Me shokët në fjalë kemi biseduar shumë për gjendjen politike në Kosovë e më tej, kjo na forconte gjithnjë e më tepër, për t´u bërë ballë sfidave të kohës. Ndërkohë, ka ardhur një shok nga Gjilani, nga një repart tjetër, pastaj kemi marrë vesh që po bëhen plane të na shpërndajnë, duan të na vendosin në dhoma të tjera së bashku me të burgosur ordinerë. Derisa, shokët Fadil Vatën dhe Sami Kurteshin, me gjithë reagimin e tyre i kishin vendosur me të burgosurit ordinerë, mirëpo pa kaluar 2 ditë, në një mbrëmje më thërret Mehmet Bislimi në dritare e më thotë: "Ti dhe Bardhyli, duhet t´i njoftoni shokët tjerë se: prej nesër do të fillojmë një grevë.
Pas kësaj marrëveshjeje me shokun Bislim, çështjen e kam hapur me shokë të tjerë, me ç´rast iu kam thënë: "Ne, do të hyjmë në grevë, për çështjen që UDB-ja, të mos na vendos në dhoma me kriminelë e të tjerë të burgosur jo politikë, siç veproi me shokët tanë, kush nuk është mirë me shëndet të mos i bashkohet grevës, ne do ta lirojmë, ndërsa Unë do t´i hyjë grevës i pari, pa u vonuar e kemi filluar grevën me shokët e vendosur Fadil Vatën , Bardhyl Mahmutin Sami Kurteshin e të tjerë kemi grevuar 7 ditë.
Deri në ditën e katërt s´na kanë ofruar asnjë ndihmë, nga mjekët, pastaj ka ardhur një mjek në dhomë, duke na ofruar ushqim artificial, e ka bërë një kontroll, mbi gjendjen tonë shëndetësore, mirëpo ide e tyre makabre ishte që t´na thyenin, pa i arritur kërkesat tona, mirëpo në ditën e 7 e kemi arritur realizimin e kërkesës kryesore: Fadil Vatën dhe Sami Kurteshin i sollën në dhomën tonë, pra i larguan nga kriminelët dhe batakgjinjtë serbë. Pastaj, me shumë vështirësi serbo-çetnikët i pranonin kërkesat tona: për lejimin e dëgjimit të lajmeve, për leximin e shtypit e të tjera, kërkohej kurdoherë vendosmëria jonë e patundur për t´i arritur ato, por natyrisht kjo s´ka munguar asnjëherë; ata kanë dështuar përballë përpjekëjeve tona!...
Me sa më kujtohet, gjatë vitit 1985-të, kam qëndruar në një dhomë me veteranin e përpjekëjeve për liri, Ismail Haradinin, i cili qe dënuar 15 vjet, për veprimtari atdhetare, kjo më ka ndihmuar fort, baca Ismail, është një burrë atdhetar dhe shumë i vendosur, ishte i përgaditur nga çdo lëmi, i pathyeshëm përballë bishave gjakatare. Më tregonte atëbotë që: në shtëpi e kishte lënë Shqipen e cila si fëmijë në moshën 12 vjeqare, ishte burgosur nga UDB-ja, në burgun e Mitrovicës, për veprimtari atdhetare dhe dy djemtë Nasimin i cili qe burgosur 4 vjet dhe Agronin i cili qe burgosur 2 vjet; kjo familje qe në bashkëpunim me heroin e popullit Jusuf Gërvallën dhe shokët e tij. Më tregonte baca se: Nasimin e kishin torturuar së tepërmi në burgun e "Cezes " në Beograd, në atë burg famëkeq ku e kanë mbytur në tortura Zija Shemsiun, flamurtarin e orëve të para të përpjekëjeve tona për liri. Nasimi, qe mbajtur si burrat dhe nuk e ka zbuluar asnjë shok.
Me një rast -thoshte baca : e kam ndier veten tepër keq kur ia kam dëgjuar rënkimet e djaloshit, ndërsa vet isha i mbyllur në dhomë gazi-lotësjellës. Përkundër të gjitha tortuarave s´jemi dorëzuar babë e bir!... Po i rikthehem rrëfimit të grevës, ata na kërcnonin se nuk do të dilnim të gjallë nga greva e të tjera . Pjesëmarrës të grevës ishim: Ismail Haradini, Afrim Zhitia, Beqir Beqa, Ibrahim Xhemajli, Halil Selimi, Imer Hasani, Mehmet Bislimi, Bardhyl Mahmuti, Reshat Avdiu dhe Unë. Pra, e kemi rrezikuar jo vetëm shëndetin po edhe jetën për fatin e shokëve, për artin dhe kulturën tonë etj. I paharruar është për mua rasti tepër i hidhur i shokut Reshat Avdiu, i cili po ato ditë e kishte një vizitë nga familja: gruaja me dy djemtë, shoku ynë ishte në gjendje tejet kritike shëndetësore, kërkojmë ndihmë por s´i japin dot, policia e vendosin në karrocë e dërgojnë ashtu të shtrirë, në takim; kur e shiqon gruaja e tij habitet dhe i thotë: a mos je i torturuar apo çka ka ndodhur?!...
Reshati, ia këthen me zë qëndrese e butësi familjare: jo, nuk jam i torturuar por jemi në grevë urie, me 12 shokë të tjerë. Atëherë, grauja trimëresh u drejtohet policëve: " nëse më vedes burri, unë si grua e tij që jam; do të hakmirrem në fabrikën ku punoj, do t´i pres 4 koka shkinash"! pas reagimit të saj të rreptë, xhelatët ua ndërprejnë vizitën, Ajo këthehet me djemtë në Kosovë e revoltuar, por e pathyeshme! Ndërsa, Reshati qëndronte me ne në grevë si Luan. I paharruar ka mbetur për mua. shoku ynë, atdhetari i madh, Afrim Zhitia- qëndersa e tij në grevë e pasqyronte heroizmin shqiptar, me atë trup Vigani, shëtitej nëpër dhomë, pa i bërë syri vrik as nga frika as nga vuajtjet. Afrimi, ishte djalë i zgjuar dhe inteligjentë, cilësi këto që i kishte edhe shoku Fadil Vata; sikur i kishte mësuar jeta e luftës së nëndheshme, leximi i literaturës, të qëndronin ashtu krenarë si burrat e motit!... Ata, edhe në burg lexonin shumë, bile më këshillon edhe mua që t´i çasem librit- kjo më ka ndihmuar së tepërmi!
Gjithashtu, edhe shoku Bardhyl Mahmuti lexonte shumë libra e revista, ndërsa mësimit të gjuhës frënge ia kushtonte çdo ditë nga 5 orë mësim. Shpesh më thoshte: Jakup, mëso e mos i kalo kot këto ditë, se kur të dalim na duhet mësimi në jetë! Më kujtohet që: nga dëshira për të bërë shaka, ia ndërroja faqet e librit kur mësonte, por kur këthehej ma këthente: jo ore Jakup, kot e ke, nuk më këthe mbrapa dot, sepse unë e di me numër ku isha me leximin-kjo natyrisht që na shkaktonte të qeshura të gjithëve!... Por, edhe shoku Bardhyl, ishte mjaft humorist, bile shpesh na këndellte, kjo na e lehtësonte fort qëndrimin në atë ferr serbomadh. Pastaj, nuk e harroj kur më thoshte: "O, Jakup vëllai, Ne e kemi një armik shumë të fortë, por një ditë do ta mundim me pushkë e penë. Prandaj, ne duhet të kemi në familjet tona; së paku një të shkolluar, për të qenë të përgaditur, për beteja të reja! Kemi lexuar literaturë të ndryshme, herë-herë s´i kuptonim, por i analizonim së bashku si kur të ishim vëllezër. Motoja e shokëve tanë qe: vetëm të bashkuar jemi më të fort, kudo që jemi; kërkohet t´i afrojmë pranë të gjithë shqiptarët, jo vetëm trimat por edhe ata të dobëtit- t´i marrim në anën e popullit se përndryshe na i merr armiku!...
Më kujtohet një shok yni, quhej Bedri, ishte nga Prishtina, na dhimbsej fort se vuante nga sëmurja e mushkërive, familja s´mund ta vizitonte shpesh sepse nuk kishuin para, neve na vinte keq, por kurdoherë e ndanim kafshatën e gojës me të; bile Bardhyli dhe Afrimi shpesh na thoshin: duhet t´i dalim në ndihmë Bedriut, që kurr mos ta ndiej veten keq- prandaj ia ofronim të gjitha ushqimet dhe veshëmbathjen që e kishim për vete. Motoja jonë ishte motoja e revolucionarëve:" Një për të gjithë, të gjithë, për një"!... Kjo, na jepte forca t´i përballonim vuajtjet e burgut. Idealet çlirimtare nga mbanin, por edhe ngjarje të reja kur ndodhnin na jepnin forcë e gjalllëri, sepse e dinim se idealet tona po ecin përpara. Kjo, ndodhte, kur dëgjonim në lajme e gazeta, apo nga familjarët se kishte protesta apo demonstrata, nga populli ynë heroik. Më kujtohet momenti, kur i sollën në burg Rifat Kafexhollin me 2 shokë. Ipari u takua me vëllezërit Kafexholli, Mehmet Bislimi, me ç´rast njoftohen dhe i tregojnë zemërgjerësinë: ne jemi shokë, por edhe pse jemi dënuar për politikë, nuk do të flasim veç për politikë, edheMehmeti, ishte humorist, kohën e lirë e kalonim fort mirë me të. Drejtoria e burgut, bënte dinakëri të lloj-llojshme, me një rast kishin organizuar një vizitë, nga Jurispodenca e Kosovës, kinse për t´u interesuar për gjendjen tonë, si po kalonim atje, në strofkullat e ujqërve të Përtejkarpateve.
Ne, nuk e dinim kur do të vinin, derisa, disa po punonim në qepjen e topave të futbollit, të tjerë ishim në izolim, ishte koha e paradrekës: ndërkohë i dëgjuam dyert duke u hapur , aso kohe nuk kishim shëtitje, mirëpo pas ca minutash, na tubojnë të gjithëve në repartin 7-të të burgut, papritmas hyjnë në sallë disa njerëz të panjohur, ishin ata"njerëz" që na kishin dënuar ne shqiptarët atdhetarë me qindra e mijëra vite: ishin gjykatës, ishin të shoqëruar nga 2 gardianë burgu. Ashtu, si servilë të armikut që ishin e filluan bisedën: "Ne, kemi ardhur me ju vizitue, që të njoftohemi a keni probleme të ndryshme"?!!! Pasi, ua shprehëm mirëseardhjen-sa për rendin e bisedës-filluam bisedën: ata, na pyesnin se a po mund të punoni etj, shoku Mehmet, nga katundi Prekaz, u thotë.: "faleminderit, për kujdesin tuaj, por gjendjen e kemi aspak të mirë, kemi vështirësi të ndryshme", ndërsa ata i thoshin se-gjendjen tani e keni të përmirësuar me kushte më t´mira e të tjera gjepura alla titiste-jo, ua thoshte shoku ynë:"këtu nuk është shtëpi përmirësuese, por shkatërruese", drejtori i burgut veç e shiqonte me urrejtje, e shiqonte si një gjarpër, gjatë bisedës; ndërsa Mehmeti sa vinte e nervozohej më tepër, kur idhshëm ua tha atyre të Gjykatës Supreme të Kosovës se: " edhe 100 jetë, po t´mi falte natyra dhe po të më lejonte shëndeti, unë të gjitha do t´ia falja Kosovës"!... Pastaj, ata u nervozuan dhe ikën, ndërsa Mehmetin e izoluan dhe gardianët e burgut i thoshin: "Ti, s´do të dalësh i gjallë nga këto çeli"!... Mirëpo, Mehmeti, qëndroi dhe na thoshte që:" kur të dalë nga burgu do ta bëjë një dasmë të madhe, për inatë të hasmit serbomadh dhe tradhtarëve, që t´u tregojmë se jemi të fortë dhe ka djem Kosova që i dalin zot"!
Pastaj, më kujtohet rasti tepër i rëndë, kur drejtori i burgut iu kishte kërcnuar shokut Sami Kurteshi se:"ose përfille rregulloren e burgut, ose ta heq kokën si me ia hequr një lepuri", ndërsa Samiu me guxim ia këthen: "koka ime kushton shumë shtrenjtë, se pa i prerë 40-të koka të serbëve, nuk prehet Samiu"! Me dhembje e krenari, Samiu shpesh na fliste për shokun tonë të idealeve Zija Shemsiun, për virtytet e tij prej atdhetari të devotshëm e guximtar, më kujtohet kur na thoshte: "vdekja e shokut Zija Shemsiu, më ka shkaktuar dhembje sikur ta kisha anëtar të familjes", mirëpo edhe në ato çaste të rënda, të vuajtjeve për humbjen e shokut, për të dëshmuar Qëndresën e tij, mbrëmjeve kur përgaditeshim të biem në gjumë Ay toshte: "Lum ky burg kë ka brenda, Sami Kurteshin me 7 zemra"!... Në dhomë ishim 12 shokë, baca Halil, i thoshte Fadilit: O Fadil, thuaj atij shokut të Vushtrrisë (e kishte fjalën për mua) merre he burrë e lexoje ndonjë libër e mos e kalo kohën kot. Xha Halili, kishte pasur një dashur të madhe ndaj librit, Ay më këshillonte t´i lexoj dhe t´i ruaj librat; i mirrte dhe me përkushtim të madh i vendoste në një sirtar të thjeshtë-revistat i mirrte dhe i nënvizonte shënimet që ishin me rëndësi , kishte raste kur polemizonte idhshëm me gazetarucat titistë- shqipfolësit e gjorë të cilët për interesat e tyre personale e sulmonin rininë heroike dhe popullin shqiptar, pra shkruanin kundër kërkesës që Kosova ta fitoj statusin e Republikës së Pavarur!... Të njëjtin qëndrim kritik e shprehte shpesh edhe dëshmori Fadil Vata, Ay, thoshte: " gazetarët shqipfolës që janë vënë në shërbim të rregjimit të huaj s´meritojnë të quhen gazetarë as shqiptarë, ata s´kanë guxim që ta shkruajnë një artikull, kundër rregjimit jugosllav, ndërsa mijëra ekzemplarë gazeta jugosllave shkruhen nga gazetarët jugosllavë, kundër nesh-por çka na bënë të shpresojmë është fakti se: dhjetra e qindra artikuj po i shkruan në përkrahjen tonë të përpjekëjeve çlirimtare, shtypi i Tiranës: "Zëri i Popullit", "Drita" e të tjear revisra, e aq më mirë ata artikuj po i transmeton edhe RTSH dhe RT edhe në gjuhë të huaja, kjo mesiguri do t´i jep frytet e veta, bota një ditë do të informohet edhe më mirë, gjithashtu edhe shtypi ynë ilegal në Kosovën e robëruar me Vise, duke i kaluar edhe kufinjtë e Atdheut, pra në diasporë, po e godet ashpër politikën reakcionare serbomadhe dhe vazalëve të tyre".
Dihet mirëfilli nga të gjithë se për këto qëndrime të pathyeshme të Qeverisë së Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, pastaj shpërthenin ogurzezshëm reagimet e shovenistëve jugosllavë, ata kukatnin si kukuvajkat që: Shqipëria ka gisht në organizimin e demonstratave në Kosovë, Shqipëria ka tendenca ta destabilizoj Federatën Jugosllave e të tjera rënkime akuzash të pafund!... Prandaj, të nderuar lexues, këtë ndihmesë tepër me vlera të mëdha, Ne, shqiptarët e Viseve të robëruara kurrë s´guxojmë ta harrojmë! Kur e ka ngritur zërin shteti shqiptarë, shumë pushtetarë të sotëm kosovarë, atëbotë heshtnin si qyqarë! Madje disa prej tyre edhe i këndonin hymne satrapit Tito!
Mirëpo, internacionalizimi i çështjes sonë të pazgjidhur më së miri do të arrihet me zgjerimin e rezistencës sonë, përballë okupatorëve-kjo ishte atëbotë objektivi ynë! Fatbardhësisht, kjo u arrit pas shumë e shumë përpjekëjesh titanike të popullit tonë. Vlenë të thekësohet që: idealet tona atëbotë ishin që: si hap i parë yni ishte të fitohej statusi i RK e pastaj në një kohë të afërt, t´i Ribashkojmë territoret tona të copëtuara, me shtetin amë-Shqipërinë. Dëshmi për këtë janë sot edhe Planprogramet dhe Statutet e Organizatave e Grupeve ilegale. Dëshiroj, të potencoj këtu edhe një fakt që: disa thonë se partitë e dala nga LÇ-re, janë parti të reja! Duke u shprehur kështu, gabohen rëndë zotrinjtë e partive të reja reformatore, apo siç dëshirojnë ta quajnë veten të moderuara; ato mos kanë harruar se ku janë regjistruar për herë të parë, mund të ua kujtojmë: janë regjistruar tek "matiqari" i pushtetit serbomadh, në Beograd, pastaj sa me ngathtësi ideshë e hapërimesh kundërhistorike kanë vepruar - ndërsa partitë e lulekuqeve të gjakut- janë regjistruar e vulosur me gjak lirie, zanafillën e kanë që prej viteve 60-ta , kur Kosova e filloi rrugën e lirisë. Është me levërdi historike që sot të gjithë shqiptarët të veprojmë si një trup, për t´i çuar përpara sukseset e arritura të LÇ-re, për t´i realizuar kërkesat tona historike gjithëkombëtare. Mos ta harrojmë për asnjë çast amanetin e rilindësve tanë të mëdhenjë:" Për Shqipërinë e bashkuar e të përparuar të punojmë e të luftojmë pa dallim ideje, feje dhe krahine".
Më 26 Gusht 2001 Oftringen- Zvicër
Shënim: BIOGRAFIA E AUTOTRIT JAKUP SHYTI U lind më 20.05.1951 në katundin Ashlan të Vushtrrisë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Vushtrri. U punësua në ON"Kosova" të Vushtrrisë. Pranvera e kuqe ´81 e gjeti në atë detyrë, me fillimin e demonstratave, pa hezitim u bashkohet demonstruesve, duke e ndihmuar pastaj edhe organizimin e tyre. Pas pak kohe zbulohet. Arrestohet dhe dënohet me 8 vjet burg, prej të cilave pesë i mbanë në burgjet famëkeqe të Serbisë. Pas daljes nga burgu, gjendja shëndetësore i rrezikohet, emigron në Zvicër, për t´u shëruar. E ndihmoi parezerva UÇK-së, moralisht dhe materialisht. Jeton në Zvicër, me familje: me gruan besnike dhe katër fëmijë. Mirret me poezi e here-herë edhe me prozë: tregimi i tij evokon kujtime nga Jeta rinore: ballafaqimi me armiqtë serbomëdhenjë dhe tradhtarët, në vitet 80-ta. Përpjekëjet e rinisë studentore dhe të popullit për Lirinë e trojeve shqiptare, janë paraqitur me ngjyra sinçeriteti prej një ish-burgosuri politik.
|