TREGIME |
TREGIME |
|
| |
||
|
Isha i qetë dhe i pikëlluar ndërsa shkoja pas udhërrëfyesit. Ai tash kishte të drejtë, si gjithmonë. E mira e së mirës ishte që së paku e shihja, e jo, si ndodh zakonisht, në momentet e vendimmarrjes, të zhdukej papritur dhe të më lente vetëm me zërin e huaj në mua, në të cilin në ato çaste ai e shndërronte veten. Unë isha i qetë por zemra më thërriste fuqishëm: Vetëm rri, unë do të vij pas! Guralecët e përroit ishin shumë të rrëshqitshëm; ish e lodhshme dhe marramendëse të ecje kështu, hap pas hapi, gurëve të vegjël të lagur që rrëqitnin dhe fundoseshin nën këmbë. Në të njëjtën kohë shtegu i përroit filloi të thepisej dhe muret e shkëmbinjëve të errët nisën t'i afroheshin njëri tjetrit, fryheshin dhe secili prej skajeve shfaqte një tentim keqdashës për t'u shembur pas shpine, për të na ndarë përjetë nga bota. Mbi shkëmbinjtë e verdhë të mbuluar me myshk rridhtë një litar uji. S'kishte qiell mbi ne, as re, as kaltërsi. Eca e eca, duke i shkuar pas udhërrëfyesit dhe shpesh duke mbyllur sytë nga frika dhe pështirja. Atëherë aty ish një lule e errët që rritej bri shtegut, një e zezë e kadifesë së pikëllueshme. Ishte shumë e bukur dhe më dukej shumë e afërt, por udhërrëfyesi im ecte edhe më shpejtë dhe unë e ndieja se po të qëndroja një çast, nëse i kushtoja më tepër se një shikim atij syri të pikëlluar kadife, dëshpërimi dhe vrenjtësimi im pa shpresë do të bëheshin gjithëkaplues dhe të padurueshëm, kurse shpirti im do të mbetej i burgosur përjetë në atë vend të pandjesisë dhe çmendurisë qesëndisëse. Zvarritesha i lagur e i ndytë dhe, derisa muret e shkëmbinjëve i afroheshin njëri-tjetrit mbi ne, udhërrëfyesi filloi të këndonte këngën e vjetër të ngushëllimit. Me zërin e tij të pastër rinor ai këndontë pas çdo hapi: Do t'ia dal, do t'ia dal, do t'ia dal! E dija mirë se dontë të më jepte zemër dhe të më nxitonte, të ma kthente mendjen nga rruga e gjatë dhe nga kjo rrugë e pashpresë e ferrit. E dija se më priste t'i bashkangjitesha këngës së tij. Por unë e kundërshtova këtë, nuk do t'ia dhuroja atë ndjenjë të fitores. A kisha unë disponim për të kënduar? A nuk isha një krijesë njerëzore, një djalë i thjeshtë, i gjorë, i cili duke mos e dëgjuar zemrën e tij, ishte nxitur në një situatë dhe veprim, të cilin Zoti nuk e kishte pritur kurrë nga ai? A nuk ishin secila prej lule-mos-më-harro-ve apo lulëkuqeve të lejuara të rrinë aty ku ishin rritur, skaj përroit, të lulëzonin e të vyshkeshin sipas zakonit? Do t'ia dal, do t'ia dal, do t'ia dal! s'pushonte të këndonte udhërrëfyesi. Oh, sikur të isha në gjendje të kthehesha mbrapa! Por me ndihmën e shkathtë të udhërrëfyesit, kishte kohë që kisha kapërcyer muret dhe humnerat, përtej të cilave nuk kishte më kthim. Lotët më digjnin në grykë, por nuk guxoja të qaja. Dhe kështu shpërfillshëm e zëshëm iu bashkova këngës së udhërrëfyesit, me ritëm e tonalitet, por jo me fjalë; dhe ndryshe nga ai, këndova me ngulm: Duhet, duhet, duhet! Por, nuk ishte punë e lehtë të ngjitesh përpjetë e të këndosh njëkohësisht, shpejt u mbusha frymë dhe u detyrova ta mbyll gojën duke gulçuar. Por ai vazhdoi të këndojë palodhshëm Do t'ia dal, do t'ia dal, do t'ia dal!, dhe me kohë, megjithatë, bëri që t'i bashkohem këngës me fjalët e tij. Tani ngjitja ishte më e lehtë dhe nuk ndihesha i detyruar, bile doja të vazhdoj, kurse sa për lodhjen, nuk mbeti asnjë gjurmë e saj. Atëherë, shkrepi një dritë brenda meje, dhe sa më shumë zgjerohej, aq më shumë shkëmbi i butë zmbrapsej, bëhej më i thatë, më dashamirës, shpesh e ndihmonte këmbën që rrëshqiste, dhe, mbi të gjitha, gjithnjë e më shumë hapeshin qiejt e kaltër, si përrua e vogël e kaltër midis brigjeve shkëmbore, dhe, sakaq, si liqe i vogël që zgjatej e zgjerohej. U përpoqa ta shpërfaq vullnetin tim më fuqishëm e më thekshëm, derisa liqeni qiellor vazhdoi të hapej e shtegu të bëhej më i kalueshëm, por, herë-herë nxitoja, i lirë, ngushticave të gjata, duke mbajtur lehtë hapin me udhërrëfyesin tim. Atëherë, papritur, pashë majën, fare pranë, sipër nesh, të thepisur e vezulluese në ajrin e ndritur prej diellit. Jo larg, më poshtë majës, ne dolëm zvarrë nga një plasë, dielli ua mësyu syve të magjepsur, dhe kur i hapa prapë, gjunjtë u shkundën nga tmerri, sepse e pashë veten tek qëndroja i lirë dhe pa mbështetje në kreshtën e rrëpinjtë; përreth kishte hapësira të pafund dhe thellësi të kaltëra tmerruese, vetëm maja e thepisur qëndronte mbi ne, e ngushtë si shkallë. Por dielli dhe qielli ishin prapë aty, dhe kështu ne kapërcyem këtë zonë të fundit të tmerrshme, hap pas hapi, me buzë të ndrydhura e vetulla të lidhura. Dhe ndaluam mbi maje, si figura pa rëndësi mbi shkëmbin e nxehur në diell, në një ajër të ashpër e thërrës. Ishte një mal i çuditshëm dhe një majë e çuditshme! E arritëm duke u ngjitur mureve shkëmbore krejtësisht të zhveshura, dhe mbi atë maje, nga guri, rritej një pemë, një pemë e forte, e lakuar, me degë të forta, që rrinte jashtëzakonisht çuditshëm dhe e vetmuar, e rëndë dhe e paepur në shkëmb, me të kaltrën e lehtë ndërmjet degëve. Dhe në maje të kësaj peme, rrinte një zog i zi që këndonte me zë të ashpër. Ëndrra të qeta të një syri gjumë përmbi botë, dielli rrezatonte, shkëmbi vezullonte, pema ngrihej krenare, zogu këndonte me zë të rëndë. Kënga e tij e vrazhdë thoshte: Amshim, amshim! Zogu i zi këndonte dhe syri i tij bosh e i ashpër ishte ngulur mbi ne si një kristal i zi. Ishte vështirë t'i qëndroje atij shikimi, vështirë ishte ta dëgjoje këngën e tij, dhe, mbi të gjitha, ishte e frikshme vetmia dhe zbrazëtia e atij vendi, zgjerimi i qiejve të zhveshur. Të vdisje ishte lumturi e pabesueshme, të rrije aty, dhimbje e paemër. Diçka duhej të ndodhte tash, menjëherë; ndryshe, ne dhe bota do të ngurtësoheshim nga lemeria. Ndjeva se ajo përhapej në ajër drejt nesh, e nxehtë dhe ndrydhëse si fryma para stuhisë. E ndjeva tek drithëronte në trupin dhe shpirtin tim si zjarrmi. - Përnjëherit zogu u përpëlit në degë dhe u krodh kryeshyt në zbrazëti. Me një kërcim, udhërrëfyesi im u zhyt në kaltërsi, ra drejt qiejve të shëndritshëm, iku fluturimthi. Tani vala e fatit kishte arritur kulmin, copë-copë ma bëri zemrën dhe fashiti në heshtje. Dhe tashmë po bija, u zhyta, kërceva, fluturova; i mbështjellë në një vorbull të ftohtë, shpërtheva, i lumtur dhe me dridhje e dhembje ekstaze, poshtë në pafundësi deri te gjiri i nënës sime.
Përktheu nga anglishtja: Rozafa Basha |
