25 Apr, 2014
Madhësia e Shkronjave

Please Upgrade Your Flash Player

Get Adobe Flash player

Fikrija, e dashura që u vetëvra pas martesës së Qemal Ataturkut

Fikrija, e dashura që u vetëvra pas martesës së Qemal AtaturkutTIRANE-Ataturku nuk ishte një turk i zakonshëm. Kishte lëkurë shumë më të çelët nga bashkëkombësit e tij, me mollëza të kërcyera dhe sy blu të mëdhenj. Ishte truppakët dhe i matur në lëvizje. Rrezatonte energji, madje edhe kur ishte në prehje; sytë e ftohtë i shndrisnin me gjallëri të pazakontë dhe përçonin dritën e gjendjeve të tija kontradiktore”. Këto fjali janë marrë nga libri “Qemal Ataturk, Rilindja e një kombi”, që është në fakt një nga biografitë më të mira të shkruara ndonjëherë për njeriun që ndryshoi Turqinë. I përkthyer nga Xhensila Sinankola dhe nën autorësinë e historianit dhe diplomatit të njohur anglez Patric Kinross, vjen në shqip me siglën e shtëpisë botuese “55”. “Ataturku, ishte një ushtar-shtetar i jashtëzakonshëm, i gjysmës së parë të shekullit XX. Ai dallonte nga diktatorët e periudhës në të cilën jetoi në dy aspekte domethënëse: në politikën brenda vendit dhe themelimin e një sistemi politik që arriti t’u mbijetonte kohërave. Në frymën e këtij shpirti realist ai rigjeneroi vendin e tij, duke e shndërruar Perandorinë e vjetër e të shkatërruar Otomane në një republikë të re dhe kompakte”, – thotë Alda Bardhyli, drejtoreshë e botimeve “55”.

Kur ai vdiq, një admiruese e Ataturkut tha: “Turqia ka humbur dashnorin e saj dhe më në fund duhet të mbledhë mendjen të gjejë një bashkëshort.” Nga ana tjetër, ai shijonte dhe u përgjigjej hapur admirimit të grave. Kemi shkëputur nga libri rrëfimin për dy femrat më të rëndësishme të jetës së tij, gruan dhe të dashurën…

Latifja
Nëna e Qemalit, Zubeyde, në Smirnia, kishte takuar dhe kishte dhënë aprovimin për Latifenë, me të cilën Qemali mbante një korrespondencë të vazhdueshme që pas kthimit në Angora.
Atij i duhej një grua me stil perëndimor dhe një grua që të ishte e zonja që në sytë e njerëzve të përmbushte dhe të krijonte imazhin një gruaje moderne, të shkolluar dhe të emancipuar, të ishte ai lloj i gruas që ai donte që edhe turkeshat e tjera të bëheshin në këtë Turqi të re. Latife, sipas tij, mund ta përmbushte një rol të tillë. Disa ditë pas vdekjes së mamasë së tij, të cilën Latife e kishte vizituar gjatë periudhës që kishte qenë sëmurë, ai shkoi në shtëpinë e saj dhe këmbënguli që ata të martoheshin menjëherë, pa ndonjë ceremoni dhe publicitet. Ajo i kërkoi edhe disa orë shtesë. Të nesërmen nuk ishte e enjte, dita kur normalisht myslimanët i bëjnë martesat e tyre, por ditë e hënë. Megjithatë Qemali shkoi së bashku me Latifen për të gjetur një kadi dhe i kërkoi atij që t’i martonte menjëherë.
Pas kësaj, Qemali e mori bashkëshorten në një “muaj mjalti” që do t’i çonte të dy në qytetet më kryesore të jugut të Anatolisë. Ai shfaqej në takimet me popullin përkrah bashkëshortes, e cila nuk mbante shami në kokë dhe në këtë rast përfaqësonte edhe reformat që ai kishte ndërmend që të ndërmerrte kryesisht për sa i takon emancipimit të grave.
…Kur e pyetën Qemalin njëherë se, përse ishte martuar kur mund të gëzonte statusin e një sulltani qejfli, ai ishte përgjigjur duke pasur parasysh pikërisht reformën e tij sociale: “E si mund të kërkoja që të zhvishja nga shamitë dhe ferexhetë gratë e të tjerëve nëse nuk do t’u tregoja më parë atyre gruan time?”.
Nëse kishte një ironi në dështimin e kësaj martese – dështim i dy natyrave kokëforta orientale që përballeshin me ndryshimet e perëndimit – ajo ishte pikërisht ironia e mënyrës se si marrëdhënia përfundoi. Kur Qemal u martua me Latifen kishte për qëllim që përmes kësaj martese të ndryshonte një traditë me zakonet e deriatëhershme myslimane. Madje ceremonia e martesës u bë sipas parimeve perëndimore. Ndërsa për sa i përket divorcit, Qemali iu referua ligjit mysliman, i cli i lejon një burri që ta ndajë bashkëshorten e vet pa qenë e nevojshme që të japë ndonjë arsye. Gjithçka që Qemali tha ishte: “Largohu nga shtëpia”, ose “Nuk dua të të shoh më”. Dhe ai pikërisht këtë bëri, duke u përpjekur gjithsesi që të zbuste ashpërsinë e vendimit me një njoftim, se në fakt për këtë divorc ishte arritur një mirëkuptim paraprak mes të dyve.
Fikrija
Kur e kanë pyetur se cilat janë cilësitë që admironte më shumë tek një femër ai është përgjigjur: Gatishmëria. Fikrija pikërisht e përmbushte këtë kërkesë-cilësi që ai admironte tek femrat dhe i jepte edhe diçka më shumë se kaq. Për vite me radhë për shkak të rrethanave ai ishte kënaqur vetë dhe me të ashtuquajturat “femra të lehta” që ishin shoqëruese të zakonshme të garnizoneve ushtarake nëpër zonat e luftës dhe të fushimit. Ardhja e Fikries i dha atij një mënyrë të rregullt në marrëdhënie, ku afeksioni dhe ndjenja reciproke kishin rolin e tyre të pamohueshëm. Ai e pëlqente shumë Fikrien dhe ishte i mikluar nga dashuria e saj për të. Ajo ishte një femër që i shkonte shumë për shtat në këtë fazë të jetës.
Fikrija e zeshkët dhe e shkathët ishte e zonja që të sillej me mënyra shumë të rafinuara. Shumë e sjellshme dhe e këndshme me miqtë e Qemalit, ata i çmonin shumë dhuntinë për të qenë një zonjë e mirë shtëpie dhe mikpritëse. Fikrija i dha Qemalit, edhe pa lidhjet familjare, atë ndjesinë familjare që ta jep vetëm një martesë. Por Qemali nuk nxitonte që të martohej me të. Nëse ndonjëherë do të martohej, ai do të kërkonte një grua që të ishte vendin e saj përbri tij, si një grua perëndimore. Fikrija me gjithë anët e mira që kishte, ishte dhe mbetej ende një grua lindore dhe do të qëndronte jo përbri, por pas tij në të gjitha rrethanat.
…Qemali e kishte sjellë Fikrien me vete nga Angora në Bursë. Halideja i takoi ata rastësisht në rrugë ndërsa po vinin. Kur Qemali doli nga makina i tha Halidesë se ishte duke e çuar Fikrien në një sanatorium në Mynih. Situata e saj shëndetësore ishte rënduar gradualisht dhe mjekët e Angorës e kishin urdhëruar që të shihte një specialist të mushkërive. Pra, kishte një arsye shumë të fortë për largimin e saj nga Angora, edhe pse realisht Qemali kishte të tjera plane në mendjen e tij.
…Ajo erdhi në shtëpinë e Qemalit dhe kur i thanë se ai nuk e pret dot, kërkoi të shkonte në banjë. Aty qëndroi për një kohë të gjatë, madje aq të gjatë sa të dy ndihmësit që e kishin pritur Fikrien nisën që të shqetësohen. Ata e kishin vënë re paraqitjen e saj të trazuar. Njëri prej tyre më në fund vendosi të shihte se çfarë po ndodhte dhe kështu shkoi dhe trokiti në derën e banjës dhe kur e pa që nuk po e hapte njeri e hodhi në tokë. Aty pa Fikrien që futi në çantë menjëherë një revolver. Ai bëri sikur nuk e pa këtë detaj, por për sigurinë e Qemalit i tha se ai nuk mund ta takonte tani dhe i kërkoi që të largohej. Ajo iku në një shtëpi aty pranë, në të cilën jetonte një kushëriri i saj. Nxori revolverin nga çanta e saj dhe vrau veten ndërsa kishte hipur sërish në karrocë. Dukej që kishte qenë në një gjendje shumë të dëshpëruar dhe fillimisht kishte ardhur për të vrarë Qemalin, ose Latifen, ose të dy bashkë. Qemali u shqetësua shumë nga vdekja e saj dhe për shumë kohë pas ngjarjes tragjike ndenji i mbyllur në vetvete…

Leave a Reply