[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]
Intervista

Ali AHMETI
A kemi mësuar diçka nga e kaluara?
Duke pasur parasysh se: - me zgjedhjet parlamentare 2002 ne kaluam një nga periudhat më dramatike të historisë së Maqedonisë - fillimi i konfliktit, konflikti, bisedimet në Ohër dhe në fund nënshkrimi i Marrëveshjes-kornizë dhe implementimi i saj; - dhe se në zgjedhje populli mbështeti ato obcioneve politike që ishin pro Marrëveshjes - kornizë dhe pro implementimit të saj, si bazë për zhvillimin e Maqedonisë.
1.
Ngjarjet e 18 muajve të kaluar - çfarë i ndodhi Maqedonisë, ku nuk veproi si duhet e ku ndodhën gabime eventuale, a mësuam diçka prej gjithë kësaj (shtetasit e Maqedonisë dhe bashkësia ndërkombëtare);
2.
Si është situata momentale, ku jemi vonuar dhe çka duhet të bëhet? Duke pasur parasysh atë që u tha më lart, a duhet që partitë të cilat i fituan zgjedhjet, Parlamenti i ri dhe Qeveria, t'i marrin parasysh rrethanat dhe në bazë të këtyre rrethanave t'i definojnë prioritetet për veprim gjatë katër viteve të ardhshme;
3.
Në rast se arrihet koncensus për të ardhmen e Maqedonisë, çfarë duhet të përmbajë ajo dhe si do të duhet të realizohet?

1.
Në Maqedoni, vitin e kaluar, shqiptarët për shkak të mospërfilljes të kërkesave të tyre dhe diskriminimit të skajshëm deri në përjashtim nga jeta politiko-shoqërore në Maqedoni, u detyruan që me armë në dorë të kërkojnë avancimin e të drejtave të tyre e të trajtohen si të barabartë në shtetin e vet. Fillimi i konfliktit në vete, kur një djalë i ri shqiptar u vra nga policia në Tanushë, ilustron më së miri pozitën e shqiptarëve në Maqedoni dhe arbitraritetin e policisë, të përbërë nga më se 98 % maqedonas. Revolti që pasoi, përkrahja e pjesës dërrmuese të popullit që iu dha Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, forcës së armatosur e cila i priu kësaj revolte, ishte rezultat i politikës së gabuar që me dekada ushtrohej ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe në Maqedoninë e pavarur.

UÇK-ja qysh në fillim të konfliktit të armatosur, me anën e Komunikatës nr. 6, shpalli botërisht kërkesat dhe përcaktimet e saja për pozitë të barabartë të shqiptarëve në Maqedoni, gjithnjë duke respektuar integritetin e shtetit.

A kemi mësuar diçka nga e kaluara? Ne shpresojmë se komuniteti ndërkombëtar ka mësuar se në Evropë nuk mund të lejohet mospërfillja e të drejtave të njeriut dhe dëshira e një populli për të qenë i barabartë; se komuniteti maqedonas në këtë shtet ka kuptuar se pa integrimin e shqiptarëve në Maqedoni nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet dhe që shqiptarët kanë kuptuar se ardhmëria e tyre është në integrime.

2.
Zgjedhjet e 15 shtatorit në Maqedoni, nga mënyra si u zhvilluan - të lira, demokratike, pa incidente dhe me pjesëmarrje të madhe të popullit, treguan që qytetarët e Maqedonisë janë më të pjekur politikisht se udhëheqësit e tyre të deritanishëm, se ata po përcaktohen për ndryshime, për një ardhmëri më të mirë të Maqedonisë. Me votën e tyre dhënë me shumicë opozitës, maqedonasit dënuan politikën e deritanishme të partisë në pushtet, parti kjo e cila, ndër të tjerat, vazhdimisht predikon nacionalizëm dhe shovinizëm ndaj shqiptarëve. Shqiptarët me përcaktimin e tyre për BDI-në, u përcaktuan për paqe, stabilitet dhe integrime, që mund të arrihen me jetësimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, që është prioritet i angazhimit politik të kësaj parte. Nëse ka vullnet politik të dyanshëm për implementimin e Marrëveshjes-kornizë dhe për integrimin e plotë të shqiptarëve në këte shtet- dhe ne mendojmë që ky vullnet ekziston te fituesit e zgjedhjeve - padyshim që do të arrihet deri te një platformë dhe program të përbashkët qeveritar për zhvillim ekonomik dhe integrim të Maqedonisë në BE dhe NATO.

3.
Ndër parimet themelore të veprimit politik të Bashkimit Demokratik për Integrim janë toleranca, koncensusi dhe partneriteti. Duke rikthyer dhe ngritur mirëbesimin ndëretnik me tolerancë, duhet arritur deri te koncensusi për sa u përket çështjeve themelore të funksionimit të shtetit për një qeverisje si partnerë në të ardhmen. Kushti themelor për të arritur deri te partneriteti, si qeverisje e përbashkët me ndarje të përgjegjësisë për këtë shtet, është vullneti politik i politikanëve dhe subjekteve udhëheqëse të shtetit dhe ndërtimi i koshiencës te qytetarët - te shqiptarët, ndjenja e lojalitetit ndaj këtij shteti, si qytetarë me të drejta dhe obligime, ndërsa, te maqedonasit, pranimi i shqiptarëve si bashkështetas të barabartë të tyre dhe pranimi i realitetit multietnik të Maqedonisë.


[an error occurred while processing this directive]
 
[an error occurred while processing this directive]