|
Moisiu: Problemet mes partive do të zgjidhen
para zgjedhjeve
(Marrë nga Zëri i Amerikës)
Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu shprehu
besim se problemet që kanë lindur në fushatën
për zgjedhjet vendore do të kapërcehen. Në
një intervistë që i dha “Zërit të
Amerikës”, ai tha se forcat politike janë
ndërgjegjësuar se nuk mund të vazhdohet më
në zgjedhje me mënyrat e mëparshme. Presidenti
Moisiu ishte në Shtetet e Bashkuara për të
marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme
të Kombeve të Bashkuara si dhe për takime me
komunitetin shqiptar të Nju Jorkut dhe Detroitit. Ai
u intervistua nga “Zëri i Amerikës”
para se të largohej nga Shtetet e Bashkuara.
Zëri i Amerikës: Zoti president, ju keni thënë
se statusi i Kosovës nuk mund të shtyhet pafundësisht.
Çfarë ju shqetëson që keni bërë
një deklaratë të tillë?
President Alfred Moisiu: Shtyrja pafund e statusit të
Kosovës, të cilën ia përmenda në
mënyrë të veçantë edhe sekretarit
të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara,
zotit Kofi Annan, krijon hapësirë për veprimin
e ekstremistëve të të dy krahëve; krijon
hapësira për ngjarje të reja të papëlqyeshme,
të cilat mund të na krijojnë situata që
do të jetë vështirë të menaxhohen.
Prandaj, standardet duhen, por edhe duhet qartësuar mirë
se çfarë duhet arritur dhe deri kur. Në të
njëjtën kohë duhet punuar për statusin
sepse ai nuk mund të shtyhet në pafundësi.
Kjo është e rrezikshme.
Zëri i Amerikës: Zoti president, ju keni folur vazhdimisht
për rëndësinë e zgjedhjeve vendore në
Shqipëri, i keni quajtur ato madje pasaporta e Shqipërisë
për në Evropë. Megjithatë, ju keni shfaqur
shpresën se ato do të zhvillohen me sukses. Çfarë
ka ndryshuar në krahasim me zgjedhjet e kaluara në
Shqipëri që ju bën të shpresoni?
President Alfred Moisiu: Në radhë të parë,
Parlamenti shqiptar ka miratuar një kod të ri zgjedhor,
ku është pasqyruar gjithë përvoja, negative
dhe pozitive e zgjedhjeve të kaluara nën mbikëqyrjen
e OSBE-së. Së dyti, duhet të them se vetë
forcat politike janë ndërgjegjësuar se nuk
mund të vazhdohet më në zgjedhje me mënyrat
e mëparshme. Sigurisht, unë së bashku me gjithë
prezencën ndërkombëtare në Tiranë,
jemi duke punuar që këto gjëra të kuptohen
sa më drejt dhe sa më mirë. Është
e vërtetë se kanë lindur disa probleme kohët
e fundit, por unë shpresoj që ato probleme do të
kapërcehen sepse është në të mirë
të Shqipërisë në radhë të parë.
Disa gjëra do të ishte mirë që të
mos kishin ndodhur sepse ato në fakt i kanë ulur
kredencialet e vendit tonë. Megjithatë deri në
zgjedhje, kam bindjen se politika shqiptare do t’i kapërcejë
problemet dhe do të hyjë në zgjedhje normalisht
ashtu siç duhet, në mënyrë të tillë
që me gjithë mend t’i tregojmë opinionit
të brendshëm dhe atij ndërkombëtar se
Shqipëria di të bëjë zgjedhje, se Shqipëria
i njeh rregullat e lojës dhe se politika shqiptare do
ta çojë vendin drejt demokracisë.
|