vace-zelaTrupi i pajetë i këngëtares së madhe shqiptare Vaçe Zela ka arritur në mesditën e së premtes në aeroportin e Prishtinës, për tu përcjellë më pas në drejtim të Tiranës. Pos personaliteteve të shumta kulturore që kishin dalë për lamtumirën e fundit, ishte edhe këngëtarja e mirënjohur kosovare, Nexhmije Pagarusha, e cila nuk arrinte t’i mbante lotët. Varrimi i të ndjerës do të bëhet ditën e shtunë në orën 13:00 duke u nisur nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit për t’u prehur në varrezat e Sharrës.

E mbuluar me flamurin kombëtar dhe me tufë lule, arkivoli i këngëtares së mirënjohur shqiptare Vaçe Zela, është përcjellë nga të afërmit e saj nga Zvicra në drejtim të Prishtinës, të premten, të cilën, në aeroportin “Adem Jashari”, kishin dalur ta prisnin përfaqësues të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, përfaqësues të institucioneve kulturore të Kosovës, këngëtarja e mirënjohur kosovare, Nexhmije Pagarusha, Shpresa Gashi, si dhe miq të tjerë.

Me këtë rast është konsideruar se është përmbushur amaneti i këngëtares Zela, e cila kishte dëshirë të madhe që të shkelte tokën e “Kosovës së çliruar”, siç kishte deklaruar ajo.

“Kjo është një humbje e madhe për Kosovën dhe për Shqipërinë. Dua t’i falënderojë artistët e Kosovës të cilët kanë dalë për ta pritur arkivolin e këngëtares së madhe shqiptare Vaçe Zela dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit”, ka thënë ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka e ka cilësuar këngëtaren Zela si një grua që i ka dhënë jehonë emrit të Shqipërisë dhe kombit shqiptarë ku më zërin e saj gjatë epokës së komunizmit ka qëndruar kokëlartë edhe shqiptarët këtu në Kosovë.

“Siç më thanë më parë motrat e Vaçës, ajo vetë kishte kërkuar që trupi i pajetë i saj të kaloj nga Kosova për në Shqipëri. Vaçja me shpirtin e saj gjithnjë i ka kënduar kombit shqiptarë. Kjo dëshirë që po i plotësohet sot është nderimi më i madh që i bëhet asaj dhe është një borxh që po e kryejmë ne ndaj asaj. Vlerat e këngëtares Vaçe Zela akoma do të jenë më të ngritura në të ardhmen”, u shpreh ambasadori shqiptar Lauka.

Ndërkaq, Nexhmije Pagarusha, e njohur si bilbili i Kosovës me emocione e ka kujtuar periudhën sa ishin bashkë e cila ka thënë se do ta kujtoj me mall këngëtaren Zela për sa të jetë gjallë.

“Unë Vaçen do ta kem shpirt. Ndonëse trupi i saj nuk është në Kosovë, ajo në mesin tonë është me shpirt. Ngushëllime gjithë kombit shqiptar dhe Shqipërisë për vdekjen e Vaçes. Hera e fundit kur pata komunikuar me Vaçen ishte para disa dite kur kishte dalur nga spitali. Unë u gëzova shumë kur mora lajmin se kishte dalur nga spitali dhe kishte bërë më mirë, ajo mezi foli me mua. E përjetova rëndë kur mora vesh se ajo më nuk jeton në mesin tonë”, ka deklaruar këngëtarja Pagarusha.

Kurse këngëtarja Shpresa Gashi ka thënë se humbja, dhimbja dhe pikëllimi për një këngëtare jashtëserike siç ishte Vaçja është e madhe. “Është një humbje e madhe jo vetëm për muzicientët por për tërë kombin shqiptarë që kanë pasur rastin ta përjetojnë këngën e pastër shqipe të Vaçe Zelës. Ajo do të mbetet një simbol i këngës së mirëfilltë shqipe”, ka thënë Shpresa Gashi.

Kurse në emër të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte i ka shprehur ngushëllime familjarëve të Vaçe Zelës dhe kombit shqiptarë, zëdhënësja e kësaj ministrie, Jehona Shyti.

“Sigurisht që kjo nuk ishte humbje vetëm për familjarët e këngëtares Zela, por është humbje edhe për Kosovën dhe për Shqipërinë. Megjithëkëtë, ajo mbetet ambasadori më i mirë i këngës shqipe. Vaçe Zela, ka lartësuar kombin shqiptarë përmes këngës dhe vlerave që i ka dhuruar këngës shqipe”, është shprehur kështu zëdhënësja e Ministrisë së Kulturës në vend, Jehona Shyti.

Kurse krejt në fund, bashkëshorti i këngëtarës së madhe shqiptare, tashmë të ndjerë, Pjetër Rudiqi ka përmendur dëshirën e së shoqes që të shoh Kosovën e çliruar. “Edhe unë jam i ndërgjegjshëm që e ndjera ime shoqe e meritonte këtë dashuri dhe respekt. Megjithëkëtë, mundohem ta imagjinoj sikur Vaçja do të mund ta përjetonte këtë në vetën e parë se çfarë mbresash do të kishte. Vaçja kishte një dëshirë që nuk iu shua asnjëherë, për të ardhur në Kosovë pas çlirimit të këtij vendi që aq shumë e donte”, ka deklaruar ai, i cili vetë është me prejardhje nga Janjeva e Kosovës.

Homazhet në nderim të artistes Vaçe Zela do të zhvillohen ditën e shtunë, datë, 08.02.2014 në Teatrin Kombetar të Operas dhe Baletit, në orën 10.00- 12.00. Në oraret e homazheve Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Lushnjës në nderim të veprës së artistes së madhe, Vaçe Zela do të ulin flamurin në gjysmështizë.

Ceremonia në nderim të artistes do të organizohet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe në vëmendjen e Kryeministrit, Edi Rama.

Përcjellja për në banesën e fundit dhe ceremonia mortore,do të mbahet të shtunën në orën 13.00 duke u nisur nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit për t’u prehur në varrezat e Sharrës.

Vaçe Zela, Bilbili i këngës sonë u shua në orën 01:00 të mëngjesit të së enjtes, në një spital në Basel të Zvicrës, pas një sëmundjeje të gjatë, në moshën 75 vjeçare.