Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka deklaruar të mërkurën se shoqëria shqiptare “duhet të punojë me të rinjtë që të ndërtojë modelin e duhur, atë të qytetarit të mirë që respekton rregullin dhe jo qytetarit trim që e shkel atë”.

Në një takim për parandalimin e krimit te të rinjtë, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Shërbimi Social, Tahiri theksoi: “Misioni ynë është të krijojmë një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë para ligjit të gjithë së bashku. Në Facebook sheh shumë të rinj me foto me armë, para’ dhe drogë. Ky lloj modeli respektohet shumë mes të rinjve, e shohin si rrugë për fitime të shpejta. Por, nuk duhet ta humbim shpresën. Pikërisht kur shoqëritë kanë vuajtur më shumë, atëherë ka pasur shoqëri që janë ngritur në këmbë për të garantuar drejtësinë dhe dinjitetin që vjen nga puna. Duhet të punojmë me të rinjtë që të ndërtojmë modelin e duhur, të qytetarit të mirë që respekton rregullin”.

Ndërkohë, Drejtori i Policisë, Haki Çako, tha se “Policia e Shtetit do të punojë ngushtë me MAS-in për parandalimin e akteve kriminale nëpër shkolla”.