Nisma për Kosovën, ka reaguar për situatën e fundit në vendbanimet shqiptare të Kumanovës.
Nisma për Kosovën përmes një reagimi për media ka dënuar dhunën ndaj civilëve shqiptarë, u ka shprehur ngushëllimet më të thella të gjithë atyre që humbën më të dashurit e tyre dhe ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të dhunës dhe formave tjera të presionit.

Reagimi i Nismës për Kosovën:
Jemi duke ndjekur me shqetësim të madh dhunën dhe terrorin në vendbanimet shqiptare të Kumanovës. Vrasja e civilëve është tragjike dhe bartë me vete rrezikun e përshkallëzimit të mëtutjeshëm të situatës. NISMA për Kosovën dënon dhunën ndaj civilëve shqiptarë, u shprehë ngushëllimet më të thella të gjithë atyre që humbën më të dashurit e tyre dhe kërkon ndërprerjen e menjëhershme të dhunës dhe formave tjera të presionit. Problemet e shumta me të cilat ballafaqohet populli shqiptar në Maqedoni nuk mund të zgjidhen me tanke, autoblinda dhe forca ushtarako-policore. Dhuna nuk është zgjidhje dhe ajo u intereson para se gjithash atyre që e kanë sjellë situatën deri në këtë shkallë përkeqësimi.