skenderrrsallakuuuKa ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare figura e njohur e ekranit shqiptar, humoristi Skënder Sallaku. Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e aktorit të humorit. Skënder Sallaku ka qenë një ndër aktorët më në zë te Estradës së Tiranës, por edhe tepër i njohur mes humoristëve shqiptarë.Ish-kampioni kombëtar në mundjen klasike, autori i dhjetëra skeçesh dhe parodish, pasi mbaroi Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, kreu edhe një kualifikim në Kinë, pranë cirkut të Pekinit. Fillimisht punoi si profesionist në Estradën e Kufirit, më pas si klloun akrobatik në cirk, duke dhënë një kontribut të papërsëritshëm në ecurinë e këtij profili sa të vështirë aq edhe të bukur.

Ai ka luajtur edhe në disa filma, mes të cilëve kujtojmë “Estrada në ekran”, “Kur hiqen maskat”, “Cirku në fshat”, “Gjuetia e fundit” etj.

Kryeministri Edi Rama, përmes rrjetit social Facebook ka ngushëlluar familjen e të ndjerit.

“Lajm i trishtueshëm vdekja e Skënder Sallakut, humoristit popullor që në kohë të zymta bëri të qeshin pleq e fëmijë! Ngushëllime familjes”, është shprehur Rama.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha shprehu hidhërimin e tij për ndarjen nga jeta të aktorit Sallaku.

“Ndarja nga jeta e legjendës së humorit tiranas Skënder Sallaku më trishtoi pa mase. Pak jave më pare u takuam në Bashki. Përcillte si gjithmonë po atë humor dhe optimizëm që e shoqëronte emrin dhe pranine e tij prej dekadash. Skënder Sallaku ishte një nga artistët më të dashur për çdo qytetar të këtij vendi pavarësisht moshës. Ngushëllime familjes, miqve dhe artdashësve të tij të shumtë”, shprehet Basha në mesazhin e tij në Facebook.