MENDO DHE PASUROHU

Njeriu në jetë ose lëvizë përpara, qëndron në vend ose shkon prapa. Qëllimi i tij, natyrisht, do të duhej të jetë të lëvizë përpara. Analiza vjetore do të zbulojë se a ka përparim dhe në çfarë mase. Ajo, poashtu, do t’i zbulojë të gjitha hapat të cilat eventualisht i ndërmorrëm…

A e dini sa vleni?

“Njihe vetveten” – është njëra prej këshillave më të vjetra. Nëse e shitni mallin, atëherë duhet ta njihni atë çka shitni. Po kjo gjë vlen edhe për shitjen e shërbimeve personale. Ju është e nevojshme t’i dini të gjitha dobësitë tuaja që të mundeni t’i tejkaloni ose eliminoni. Ju është e nevojshme edhe t’i njihni forcat tuaja që të mundeni të mbështeteni në to kur i shitni shërbimet personale. Veten mund ta njihni vetëm me analizë precize.
Marrëzinë e mosnjohjes së vetvetes i tregoi edhe njëherë një djalosh i cili konkurroi për vend pune si udhëheqës i një kompanie mjaft të njohur. Ai la mbresë shumë të mirë deri sa drejtori e pyeti se çfarë page pret ky. U përgjigj se nuk kishte menduar për kurrëfarë shume të caktuar (gjë që paraqet mungesë të qëllimit të definuar). Drejtori atëherë i tha: “Ne do t’ju paguajmë aq sa vleni pas një jave pune provuese”.
“S’do ta pranoj këtë”, ia ktheu djaloshi, “sepse unë veç marr më shumë aty ku jam duke punuar tash”.
Para se të filloni në përgjithësi të bisedoni për rritjen e pagës në pozitën tuaj të tashme ose ta kërkoni ndonjë punë tjetër, duheni të vleni më shumë se që paguheni.
Një gjë është t’i dëshirosh paratë – të gjithë dëshirojnë sa më tepër para – por është krejtësisht tjetër gjë të vlesh më tepër! Një numër i madh njerëzish i përziejnë dëshirat e veta me atë që vërtetë e meritojnë. Kërkesat ose dëshirat tuaja financiare s’kanë kurrëfarë lidhje me vlerën tuaj. Vlerën tuaj e përcakton veçanërisht aftësia juaj ta ofroni shërbimin e dobishëm ose aftësinë t’i nxitni të tjerët ta ofrojnë shërbimin e tillë.

Bëni inventarin tuaj
© www.Mjellma.org
Vetëanaliza vjetore është me rëndësi thelbore në efikasitetin e shitjes së shërbimeve personale, sikur që është rasti edhe me inventarin vjetor në tregti. Madje edhe më tepër, analiza vjetore do të duhej ta zbulojë zvogëlimin e mangësive dhe shtimin e virtyteve. Njeriu në jetë ose lëvizë përpara, qëndron në vend ose shkon prapa. Qëllimi i tij, natyrisht, do të duhej të jetë të lëvizë përpara. Analiza vjetore do të zbulojë se a ka përparim dhe në çfarë mase. Ajo, poashtu, do t’i zbulojë të gjitha hapat të cilat eventualisht i ndërmorrëm. Shitja e suksesme e shërbimeve personale kërkon prej njeriut të shkojë përpara, madje edhe nëse përparimi është i ngadalshëm.
Analizën tuaj vjetore do të duhej ta bëni në fund të çdo viti me qëllim që të mundni t’i përmirësoni vendimet e reja. Bëni këtë inventar duke ia shtruar vetes pyetjet dhe duke i kontrolluar përgjigjjet me ndihmën e dikujt i cili nuk do të lejojë që ta mashtroni vetveten.

Pyetësori për vetëanalizën e inventarit tuaj
© www.Mjellma.org
1. A e arrita qëllimin që ia dhashë vetes për këtë vit? (Në këtë punë ju është e nevojshme ta keni qëllimin definitiv vjetor, si pjesë e qëllimit kryesor të jetës)
2. A ka qenë cilësia e shërbimeve të mia më e mira prej së mundshmes, dhe a kam mundur ta përmirësoj çfarëdo pjese të shërbimeve të mia?
3. A ka qenë sasia e shërbimeve të mia sa më e madhe që ka qenë e mundur?
4. A ka qenë sjellja ime në çdo çast harmonike dhe bashkëpunuese?
5. Mos e kam lëshuar veten që shprehia e hezitimit ta zvogëlojë efikasitetin tim dhe, nëse po, në çfarë sasie?
6. A e kam përmirësuar karakterin tim dhe, nëse është përmirësuar, në çfarë mënyre?
7. A iu kam përmbajtur me ngulm planeve të mia deri në realizimin e tyre?
8. A i kam sjellur vendimet pa shtyrje dhe energjikisht në të gjitha rastet?
9. A i kam lejuar vetes që ndonjëra prej gjashtë frikave kryesore ta zvogëlojë efikasitetin tim?
10. Mos kam qenë tepër i kujdesshëm ose mos kam patur kujdes të pamjaftueshëm?
11. A ishte marrëdhënia ime ndaj bashkëpunëtorëve punësorë e këndshme apo e pakëndshme? Nëse ka qenë e pakëndshme, a ka qenë pjesërisht faji im apo tërësisht i imi?
12. A e kam shpenzuar kot ndonjë pjesë të energjisë sime si pasojë e mungesës së orvatjes së fokusuar?
13. A kam qenë pa paragjykime dhe tolerues në të gjitha situatat?
14. Në çfarë mënyre e kam përmirësuar aftësinë time të ofrimit të shërbimeve?
15. A kam qenë i pamatur në cilëndo prej shprehive të mia?
16. A e kam shprehur, fshehurazi ose hapur, çfarëdo forme të egoizmit?
17. A ka qenë sjellja ime ndaj kolegëve e tillë që i shtyri të më respektojnë?
18. A ishin mendimet dhe vendimet e mia të bazuara në supozime apo në precizitetin e analizave dhe mendimeve?
19. A iu kam përmbajtur shprehisë së bërjes së llogarive të kohës sime, të hyrje daljeve dhe a isha gjatë kësaj konzervativ?
20. Sa kohë ia kam kushtuar orvatjes së pafrytshme, të cilën kam mundur ta shfrytëzoj për qëllime më të mira?
21. Si ta llogaris më mirë kohën time dhe si t’i ndryshoj shprehitë, me qëllim të jem më i suksesshëm gjatë vitit të ardhshëm?
22. A isha fajtor për çdo veprim të cilin ndërgjegjja ime nuk e miratoi?
23. Në çfarë mënyre kam ofruar shërbim më të mirë dhe më të madh para se të paguhesha për këtë?
24. A kam qenë i padrejtë ndaj ndokujt dhe, nëse kam qenë, në ç’mënyrë?
25. Po të kisha qenë blerës i shërbimeve të mia gjatë vitit të kaluar, a do të mbetesha i kënaqur me atë ç’kam blerë?
26. A merrem me profesionin e vërtetë; nëse nuk merrem, pse?
27. A ka qenë i kënaqur blerësi i shërbimeve të mia me gjërat që i kam ofruar, dhe nëse jo, pse s’ka mbetur i kënaqur?
28. Sa i përmbahem principeve fundamentale të suksesit?
© www.Mjellma.org
(Le të jenë përgjigjjet tuaja të drejta dhe të sinqerta; jipjani në vlerësim dikujt i cili është mjaft i guximshëm që ta kryejë këtë punë si duhet.)
Pasi që i lexuat dhe i asimiluat informatat e shtruara në këtë kaptinë, jeni të gatshëm ta përpiloni planin praktik të shitjes së shërbimeve tuaja personale. Në vazhdim për lexuesit e Mjellmës do të publikojmë edhe përshkrimin adekuat të t’gjitha principeve me rëndësi thelbore gjatë planifikimit të shitjes së shërbimeve personale, pastaj atributet kryesore të udhëheqësisë, lëmeve në të cilat ekzistojnë rastet e volitshme për udhëheqje, përshkrimin e shkaqeve më të rëndësishme të dështimit në të gjitha profesionet e mundshme dhe pyetjet e rëndësishme të cilat duhen të bëhen me rastin e vetëanalizës.
Ky prezentim i përgjithshëm dhe detajor i informatave precize do t’iu jetë e nevojshme të gjithë atyre të cilët duhen të fillojnë me grumbullimin e pasurisë me shitjen e shërbimeve personale. Ata të cilët e kanë humbur pasurinë dhe ata të cilët tek fillojnë ta fitojnë paranë, s’kanë ç’të ofrojnë gjë tjetër pos shërbimeve personale në zëvendësim për pasurinë; për këtë arsye është tepër e rëndësishme t’i kenë në dispozicion informatat praktike, të nevojshme për shitjen më të volitshme të mundshme të shërbimeve.
Asimilimi i plotë dhe kuptueshmëria e informatave të shtruara do t’ju jetë e dobishme gjatë shitjes së shërbimeve tuaja personale, e poashtu do t’ju ndihmojë të bëheni më analitik dhe më i aftë në vlerësimin e njerëzve. Këto informata do t’iu jenë të një rëndësie të paçmueshme drejtorëve personalë, drejtorëve të sektorëve për punësim dhe udhëheqësve të tjerë, detyra e të cilëve është zgjedhja e nëpunësve dhe punëtorëve dhe mbajtja e organizimit efikas. Nëse dyshoni në këtë, vërtetojeni vetë duke iu përgjigjur njëzet e tetë pyetjeve të vetëanalizës.

 

Nga libri: “Mendo Dhe Pasurohu” – Napoleon Hill
Përkthim i Arben Shalës