Shkupi nuk është i qetë pas protestave të dhunshme të së martës në mbrëmje. Opozita protestoi sërish një ditë më parë, paqësisht këtë herë.

Lideri i saj, Zoran Zaev ka paralajmëruar se tubimet nuk do të ndalen deri në dorëheqjen e Nikolla Gruevskit nga posti që mban prej disa mandatesh. Përgjimet që po publikon opozita po zbulojnë skandale të njëpasnjëshme të qeverisë së tij dhe të vetë kryeministrit.

Megjithatë Gruevski nuk ka ndër mend ta lëshojë postin. Në kundërpërgjigje, VMRO –DPMNE po përgatitet për antiprotesta. Mbështetësit e partisë në pushtet po përhapin me shpejtësi njoftime në internet për t’u mbledhur dhe për të dalë rrugëve të Shkupit. Gruevski duket se do t’i tregojë opozitës forcën edhe në këtë drejtim. Ai e ka treguar këtë edhe në raste të tjera.

Rrahja e deputetëve të opozitës në vitin 2013 nga forcat e sigurisë është shembulli më i mirë. Gruevski deklaroi mbrëmë në televizionin Sitel se ka presione nga anëtarësia e partisë për të dalë në tubime kundër opozitës. Mobilizimi i kryeministrit për t’iu përgjigjur me protesta opozitës është një lëvizje e rrezikshme.

Opozita paralajmëroi se një skenar i tillë do të çojë në përplasje civile dhe luftë qytetare.