Moska ka shpenzuar më shumë se 53 milionë rubla, rreth 1 miliard dollarë, në mbështetje të rebelimit separatist në lindje të Ukrainës, ndërkohë që të paktën 220 ushtarë rusë janë vrarë në konfliktin e armatosur, bën të ditur një raport i publikuar nga opozita ruse këtë të martë.

Raporti ka qenë projekti i fundit i lënë përgjysmë i kritikut të vrarë të Kremlinit, Boris Nemtsov, i cili përdori informacione nga burime të hapura dhe intervista me familjarë të ndryshëm, për të krijuar një panoramë të argumentit kontradiktues të Moskës, sipas së cilës, asnjë prej trupave ushtarake ruse nuk ka luftuar në Ukrainë.

Nemtsov u qëllua për vdekje në qendër të Moskës në muajit shkurt, ndërsa pjesëtarë të tjerë të partisë së tij liberale “RPR-Parnas”, të ndihmuar edhe nga gazetarë opozitarë, bënë gjithçka të mundur për ta përfunduar raportin prej 65 faqesh.

Një zëdhënës i Kremlinit refuzoi të komentonte mbi këtë raport, duke thënë se nuk kishte dijeni mbi të, por shtoi gjithashtu se nuk mund të sigurojë nëse Presidenti rus Vladimir Putin do ta marrë në konsideratë atë.

Ilya Yashin, një ndihmës i Nemtsovit, akuzoi Putinin se kishte gënjyer rusët, pasi kishte ndërmarrë një luftë mes mohimeve për përfshirje në të.

“Lufta me Ukrainën është një luftë e padeklaruar, një luftë e turpshme dhe cinike, që shkon deri në krim ndaj të gjithë kombit rus. Putin do të mbetet në histori, si Presidenti që armiqësoi rusët dhe ukrainasit”, tha ai në një konferencë për shtyp gjatë shpalljes së raportit.

Perëndimi akuzon Rusinë se ka dërguar furnizime me armë dhe ushtarë ndaj separatistëve, që luftojnë kundër forcave qeveritare të Kievit në lindje të Ukrainës, ashtu sikurse është marrë edhe me trajnimin e tyre dhe ofrimin e informacioneve nga shërbimet sekrete. Këto akuza nxitën edhe një valë sanksionesh të përshkallëzuara ndaj Moskës për shkak të konfliktit, që ka marrë deri më sot mbi 6100 jetë njerëzish.

Raporti, që Nemtsovi e kishte nisur pasi familjarë të ushtarëve të vrarë rusë në Ukrainën lindore i kishin kërkuar ndihmë, bënte të ditur se të paktën 150 ushtarakë rusë janë vrarë gjatë luftimeve përreth fshatit Ilovaisk, por edhe në pjesë të tjera të rajonit, gjatë verës së kaluar.

Të afërmit e tyre kanë marrë nga 3 milionë rubla për kompensim, me kusht që të mos flasin publikisht në lidhje me vdekjet, sipas raportit.

Një tjetër valë dhune la të vdekur të paktën 70 ushtarë rusë në përplasjet përreth qytetit të Debaltsevit, në fillim të këtij viti, duke shtuar se të afërmit e këtyre të fundit nuk kanë marrë as kompensim.

Autorët thonë se ushtarët rusë janë detyruar me forcë që të dalin jashtë shërbimit ushtarak përpara se të niseshin drejt Ukrainës, për të përmbushur kështu edhe argumentin e Moskës se nuk ka ushtarakë aktivë të Rusisë në terren, vetëm vullnetarë.

Sipas tyre, Rusia ka shpenzuar 53 milionë rubla përgjatë 10 muajve të fundit në mbështetje të “vullnetarëve” ruseëdhe rebelëve lokalë, si dhe për ndihma në mjete ushtarake. Gjithashtu, bëhet me dije se trupat që luftojnë në Ukrainën lindore fitojnë rreth 90 mijë rubla në muaj.