Goran Gruevski, kryeshefi i Njësisë së Pestë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është kandidati që do të zëvendësojë Sasho Mijallkovin në krye të Drejtorisë së Sigurimit dhe Kundërzbulimit.

Kjo bëhet e ditur nga portali Plusinfo, i cili raporton se Goran Gruevski është shefi i njësisë, e cila ka kryer përgjimet e qytetarëve dhe se vlerësohen se tek ai janë koncentruar të gjitha informatat lidhur me përgjimet e deritanishme.

Ai siç thuhet konsiderohet si personi i pozicionuar fuqishëm në MPB dhe rreth ministres së deritanishme Gordana Jankullovska. Megjithatë deri nesër pritet që të shihet se kush do të jetë pasardhësi i Mijallkov, i cili u largua nga detyra pas presioneve të mëdha. VMRO-DPMNE ka nisur një peticion përmes së cilit kërkohet që të mos pranohet dorëheqja e Mijallkovit.