Katër persona u dënuan me vdekje në Afganistan në procesin gjyqësor me 49 të dyshuar, mes të cilëve 19 oficerë policie, si pjesëmarrës në ekzekutimin publik dhe makabër të një 27-vjeçareje në muajin Mars.

Tetë të tjerë u dënuan me nga 16 vite burgim, 18 u shpallën të pafajshëm, ndërkohë që vendimi për pjesën e mbetur të të dyshuarve do të jepet këtë të dielë.

Procesi gjyqësor në ngarkim të tyre u zhvillua nën masa të forta sigurie për shkak të ndjeshmërisë shoqërore dhe zgjati vetëm dy ditë, një kohë rekord në krahasim me zvarritjet e zakonshme të drejtësisë afgane.

Gruaja, e identifikuar vetëm si Farkhunda, akuzohej prej turmës se kishte grisur dhe më pas djegur fletë të Kuranit pranë një xhamie. Familja e gruas deklaroi se prej disa vitesh ajo kishte probleme mendore. Prindërit e saj thonë se ajo nuk e ka djegur me vetëdije Kuranin.

Më e keqja është se gjithçka ndodhi në sytë e forcave të rendit, madje edhe të një njësie elitë që lufton terrorizmin. Kreu i kësaj njësie tha për BBC se është qëlluar disa herë në ajër me armë zjarri për të shpërndarë turmën, por ka qenë shumë vonë.

Menjëherë pas ngjarjes, Presidenti afgan, Ashraf Ghani urdhëroi nisjen e një hetimi mbi ngjarjen në fjalë.  “Askush s’e ka të drejtën që t’i vendosë vetes kompetencat e një gjyqtari a gjykate duke vrarë të tjerët, cilado qoftë arsyeja e kësaj”- deklaronte ai.