Kjo që po ndodh nëpër vendbanimet shqiptare, nëpër lagjet e varfëra të shqiptarëve, nëpër këmbët e fëmijëve, pleqve, grave dhe qytetarëve në përgjithësi është një çmenduri që s’mund të përshkruhet me fjalë! Skenarët e fundit që po bëhen në emër, kinse, të një grupi të armatosur shqiptar, për të cilin askush s’ka dijeni, askush nuk i ka parë, askush nuk i njeh, as nuk hanë, as nuk pinë,…, janë skena sa tragjike poaq komike, por që krijojnë dhimbje dhe tmerre në mesin e popullatës shqiptare! 

Sa skenar naiv! Lehtë të kuptueshëm edhe nga vetë banorët e vendbanimeve shqiptare! Paramendoni, grupe të armatosura shqiptare, të pa dukshëm dhe të panjohur për popullatën ku veprojnë, në emër, kinse, të “luftës pa platformë”, dëmtojnë pikërisht popullin, për të drejtat e të cilit “luftojnë”!!! A ka një strateg, qoftë edhe geni të ishte, që mund ta kupton këtë çmenduri, me skenar aq naiv dhe të pakuptimtë, për krijimin e konflikteve artificiale në vendanimet shqiptare!
Pas zbardhjes së rasteve të montuara, të tilla si: Sopoti, Monstra, Mladenov,… është e kot tendenca për të bindur qytetarët në përgjithësi dhe shqiptarët në veçanti se kjo që po ndodh këto ditë në vendbanimet shqiptare nuk është një vazhdimësi e montimeve të tilla, aq më pak, mund të bindet faktori ndërkombëtar për kinse “rezikimin e Maqedonisë” nga grupe shqiptare të armatosura, kur ato i dinë arsyet e skenarëve, si dhe e dinë edhe si merr frymë pushteti i Nikolla Gruevskit, dorëheqjen e të cilit tashmë një kohë të gjatë, hapur e kërkojnë.
Prandaj, ajo që shqiptarët duhet veprojnë në këto momente të vështira, në veçanti në pjesët ku po zbatohen këto skenarë, është të ruajnë gjaftohtësinë dhe të presin që skenaristët të vetëvriten mes vete! Kujdes pra shqiptar, dhe qytetar të Maqedonisë në përgjithësi, të jeni gjakftohtë dhe mos bini pre skenareve të erta antishqiptare!