ben-aflek  Kazinoja Hard Rock në Las Vegas ka dëbuar Ben Affleck nga tryezat ku luhej, sepse shërbimet e sigurisë e kishin pikasur që protagonisti, regjisori dhe aktori i filmit “Argo” numëronte letrat, për të mundur që të fitonte në Black Jack, një teknikë kjo e cila nëpër kazino nuk është aspak e pëlqyer. Aktori, një lojtar i apasionuar, ndodhej në një tryezë ku bastet ishin në shuma të larta.

Numërimi i letrave është një teknikë, sipas të cilës ti numëron dhe mban në mendje të gjithë letrat që dalin mbi tryezë, për të vlerësuar ato që mbeten dhe për të kuptuar kështu nëse ato do të ishin favorizuese për lojtarin në pritje. Sistemi nuk është i paligjshëm, por kazinotë kanë të drejtën të vendosin nëse duhet të pranojnë apo dëbojnë një lojtar kur “e pikasin”.Nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur më vonë. Sipas disa burimeve, Affleck nuk u dëbua, por iu kërkua që të largohet nga kazinoja dhe që ata të sigurisë i thanë se “ishte shumë i zoti” për të qëndruar në tryezën e lojës.