australiNjë person i armatosur po mban peng stafin dhe klientët e një kafeneje në Sidnej të Australisë. Kafeneja Lindt është e rrethuar nga policët dhe nuk dihet ende zyrtarisht se sa pengje ka brenda saj.

Kryeministri australian Tony Abbott e ka cilësuar këtë sulm si të “tmerrshëm” dhe ka thënë se mund të ketë motive politike.

“Australia është një vend paqësor, i hapur dhe bujar. Kjo gjë nuk duhet të ndryshojë dhe për këtë arsye unë i lutem të gjithë australianëve që sot të shkojnë në punë dhe të vazhdojnë jetën si zakonisht”, tha kryeministri duke folur nga Kanberra.

Ndërkohë, një flamur i zi si ai i ISIS-it është shfaqur në një nga dritaret e kafenesë. Sipas BBC, janë rreth 40 persona që po mbahen peng prej 9 orësh dhe policia ka nisur një operacion të madh për të negociuar lirimin e tyre.

Mësohet se pengmarrësi ka thënë se ka katër bomba dhe se kërkon të flasë me kryeministrin e vendit.