Shpërthimi i papritur i qeverisë së Gruevskit ndaj një grupi ende të paidentifikuar si “grup i armatosur”, po dëshmon se shqiptarët në Maqedoni vazhdojnë të përdoren si një kartë politike për të forcuar pozitat e qeverive nacionaliste të Shkupit.

I gjendur përballë një opozite, që po e gërryen përmes një procesi të përditshëm denoncimi të së paku 20 mijë zyrtarëve, qytetarëve, aktivistë të Maqedonisë, si dhe përballë protestave të shtuara për dorëheqje, kryeministri Gruevski duket se ka vendosur të thërrasë “armiqtë në dispozicion”.

Pra, shqiptarët, për t’u treguar maqedonasve se ata gjenden përballë një rreziku më të madh sesa është vet Gruevski për ta.

Në përpjekje për të shkatërruar opozitën dhe aksionin e saj opozitar, Gruevski po përpiqet të ngrejë tonet nacionaliste dhe ndarjen etnike në Maqedoni, si strehën e fundit ku fut kokën çdo maskara kur i rrezikohet pushteti.

Befasia e aksionit, numri i paqartë i viktimave, desinformimi për një “grup të paidentifikuar”, përpjekja për të diferencuar shqiptarët dhe retorika e shtuar nacionaliste, janë të gjitha shenja se Shkupi zyrtar ka nevojë për një armik kombëtar, që të shpëtojë nga armiqtë e brendshëm maqedonas, që duan të rrëzojnë Gruevskin.

Pyetja shtrohet çfarë duhet të bëjnë shqiptarët?

Në një situatë të tillë kur shqiptarët kanë vendosur të jetojnë në një shtet demokratik, që është i detyruar të respektojë liritë e tyre, ata, ashtu si opozita maqedonase, kanë armik kryesor atë që kufizon liritë e tyre.

Subjektet politike shqiptare, ato që janë në qeveri dhe opozitë, mund të mos bashkohen me njëra-tjetrën për shkak të primitivizmit të tyre, por duhet të bashkojnë votat dhe fuqinë e tyre politike me opozitën e Maqedonisë, për të shembur një regjim autoritar, që është rrezik për çdo qytetar të shtetit të Maqedonisë, si ata shqiptarë, dhe ata maqedonas.

Gruevski duhet goditur atje ku ai mendon se do të shpëtojë. Ai po përpiqet të ndajë shqiptarët nga maqedonasit dhe të sundojë si shpëtimtar i Maqedonisë nga armiku i jashtëm, kurse shqiptarët dhe opozita maqedonase duhet të bashkohen për t’u bërë të qartë dhe të papërballueshëm pikërisht si “armik i brendshëm” i tij.

Çdo veprim tjetër i shpiptarëve është tradhti, jo vetëm ndaj shqiptarëve, por dhe standardeve të një shoqërie të lirë në Maqedoni. Marrëveshja e Ohrit detyron shtetin e Maqedonisë, të respektojë paritetin e shqiptarëve në shtet dhe me këtë frymë nacionaliste që po mbjell Gruevski, shoqëria maqedonase po shkon drejt segregacionit.

Rrugëzgjidhja e vetme që kanë shqiptarët është të bëhen faktor i demokratizimit të Maqedonisë dhe i flakjes së këtij surrogati të fundit nacionalist në Ballkan.

E kuptoj që shumë prej tyre gjejnë të meta dhe shenja pabesueshmërie tek opozita maqedonase, por ata duhet të orientohen drejt një hapi përpara për Maqedoninë dhe jo drejt status kuos dhe kthimit mbrapa me Gruevskin.

Së dyti, debati se kush janë “guerrilasit” e paidentifikuar është jo racional dhe shqiptarët nuk kanë përse të përfshihen politikisht në këtë debat. Maqedonia është një shtet i dobët, me një regjim autoritar, që përpiqet të mbijetojë pikërisht mbi ishuj të tillë palegjitimiteti dhe mbi histori dosjesh të dyshimta kriminale.

Ata që e njohin mirë realitetin në Maqedoni, e dinë mirë se në atë vend nuk është vështirë të gjesh pesë vet të armatosur, ose pesë delirantë që nuk dinë si të justifikojnë ekzistencën e tyre. Gruevski dhe qeveria e tyre, nuk kanë arsye t’i fabrikojnë këto grupe.

Ata i kanë lejuar të ekzistojnë, pikërisht për t’i përdorur sulmet ndaj tyre në raste të tilla. Ato janë në të vërtetë, frytet e një qeverisje autoritare që fitoi pushtetin si nacionalist dhe qeveris si autokrat. Faktori politik shqiptar në Maqedoni ka objektiv madhor Marrëveshjen e Ohrit dhe jo produktet e keqqeverisjes së Gruevskit.

Në këtë rast, askush nuk është i interesuar të debatojë mbi identitetin e viktimave të Gruevskit, pasi shihet se ai është thjesht sebepi. Shkaku real, është se Gruevskit i duhet një betejë nacionaliste për të shpëtuar nga një betejë politike kundër tij. Ndaj nuk duhet lënë të shpëtojë.

Së fundmi, përpjekja e tij për të bërë deklarata konspirative, për fqinj që duan të shkatërrojnë Maqedoninë, duhen injoruar dhe duhet fokusuar tek orientimi i shqiptarëve, për të shpëtuar Maqedoninë nga modeli i Gruevskit dhe jo për të shpëtuar Gruevskin nga shqiptarët.

Ai është në pushtet mes të tjerash, se shqiptarët, siç i ka fal zoti aty, janë të ndarë dhe tërësisht brenda lojës së tij politike, për t’i mbajtur në radhë se kush do t’i shërbejë.

Kjo histori duhet të marrë fund dhe shqiptarët duhet ta rrëzojnë Gruevskin, jo me grykën e armëve, por me fuqinë e tyre politike, të cilën duhet ta vënë në dispozicion të një Maqedonie më demokratike, më të lirë, më europiane dhe më shqiptare.

I vetmi armik në dispozicion i Maqedonisë duhet të mbetet Gruevksi. Shqiptarët duhet t’i bashkohen betejës reale kundër tij.