As qeveria e as MPB nuk tregon sesa mjete do të ndahen si kompensim për pjesëtarët e forcave të sigurisë që ishin pjesë e aksionit në Kumanovë dhe për të cilët u njoftua se do të marrin mjete përkatëse financiare prej 10 dhe 5 mijë euro.

Nga MPB për Alsat M thonë:
“Mjetet financiare ndahen në bazë të “Vendimit për aprovimin e mjeteve nga rezervat e buxhetit të RM-së për vitin 2015”, të miratuar në seancën e Qeverisë së RM-së. Në vendimin janë saktësuar në mënyrë precize kategoritë dhe mjetet që janë paraparë për secilën kategori në mënyrë të veçantë”.

Në mungesë të informacioneve zyrtare nga kompetentët, Alsat M bëri një përllogaritje sipas të cilës: Nëse supozojmë se, për shembull në aksion janë përfshirë 700 pjesëtarë të forcave të sigurimit dhe nëse për shumë të mesme merret mesatarja prej 7 mijë euro për person, atëherë përllogaritja tregon se MPB do të duhet të paguajë rreth 5 milionë euro. Në këtë shumë nuk janë llogaritur mjetet që do t’i marrin policët e lënduar, si dhe familjet e pjesëtarëve të vrarë, e që kapin shifrën prej 1.4 milionë euro, që është shifra zyrtare që e publikoi pushteti.

Qeveria të gjithë pjesëtarëve të forcave të sigurisë që ishin pjesë e aksionit në Kumanovë iu premtoi kompensim në para. Pas publikimit të këtij informacioni, një pjesë e opinionit reagoi se shumat që do t’u ndahen familjeve të pjesëtarëve të vrarë janë shumë më të vogla, madje edhe nga ato që funksionarët e pushtetit i kërkojnë ose i marrin nëpër procese gjyqësore kundër gazetarëve ose oponentëve politik që i zhvillojnë për shpifje apo ofendime. Gjithashtu, një pjesë e opinionit komentoi se dhënia e shpërblimeve në para për pjesëtarët e forcave të policisë që ishin pjesë e aksionit në Kumanovë është përpjekje e pushtetit të blejë paqe në mesin e tyre për shkak të spekulimeve për lëshime serioze për mënyrën sesi është planifikuar dhe realizuar aksioni ku jetën e humbën 8 pjesëtarë të policisë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.