Kosovarët e përfshirë në konfliktin e armatosur në Kumanovë ishin të njohur për institucionet e vendit. AKI-ja, presidenca, kryeministri dhe mekanizmat e tjerë të sigurisë prej kohësh kishin informacione për disa prej pjesëmarrëseve në këtë konflikt.

Kohavisioni merr vesh nga burime të sigurta se Agjencia e Kosovës për Intelegjencë qysh në muajin shkurt kishte njoftuar mekanizmat, të cilëve është e obliguar ligjërisht t’iu raportojë, për dyshimet se disa kosovarë do të tentonin të destabilizonin Maqedoninë.

Madje, në njoftimin që AKI-ja iu kishte bërë institucioneve theksohej se shërbimi sekret maqedonas kishte tentuar të kontaktonte disa shtetas të Kosovës, të cilët do të merrnin përsipër aksionin.

Këtë fakt e dëshmon edhe një raport i vlerësimit të situatës në Maqedoni, të cilin Agjencia e Kosovës për Intelegjencë ia kishte dorëzuar presidentes, kryeministrit dhe policisë.

Raporti, një pjesë të së cilit e ka siguruar KTV-ja, përshkruan gjendjen e brishtë në Maqedoni dhe sqaron të gjithë skenarët e mundshëm të inskenimit të një akti terrorist, e ku protagonistë do të ishin shqiptarët. Raporti i referohet edhe aferës së përgjimeve dhe daljes në opinion të manipulimeve në rastin “Monstra”.

Në raportin konfidencial thuhet: “Mundësia e inskenimit të ndonjë “akti terrorist” nga grupe të ashtuquajtura terroriste shqiptare-myslimane janë shumë reale. Gruevski çdo ditë e më shumë ka “shqetësim raportet e përkeqësuara ndëretnike dhe ndërfetare në Maqedoni, si pasojë e përgjimeve”. Përgjimi nga rasti ‘Monstra” mund të jetë pretekst për të shpërqendruar vëmendjen dhe për të avancuar inskenimet për gjoja akte të shëmtuara terroriste. Këto veprime do ta poziciononin Gruevskin si mbrojtës të vlerave perëndimore dhe luftëtar të terrorizmit global. Paraqitjen e qeverisë së tij dhe shërbimeve sekrete do t’i përcaktonte si gjoja viktima të luftës globale kundër terrorizmit”.

Institucionet kosovare kanë pasur informacione të sakta edhe për katër prej udhëheqësve kryesorë të grupit nga Kosova, mirëpo kanë dështuar të ndërmerrnin masa preventive.

Qeveria ka qenë e njoftuar edhe për lëvizjet e dyshimta të këtyre personave, disa prej të cilëve kishin të kaluar kriminale, duke përfshirë posedimin dhe trafikimin e armëve.

Në një pjesë të raportit AKI-ja kishte konfirmuar indikacionet se shërbimi sekret maqedonas kishte kontaktuar disa qytetarë të Kosovës me qellim të inskenimit të sulmeve në Maqedoni. Kohavisioni ka kontaktuar me zyrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për të marrë përgjigje nëse ishte informuar paraprakisht nga AKI-ja.

Gjatë ditës zyra e kryeministrit nuk iu është përgjigjur pyetjeve të dërguara nga KTV-ja, duke mos e sqaruar nëse kishte marrë informacione paraprakisht për dyshimet se grupe të ndryshme nga Kosova do të përfshiheshin në krijimin e trazirave në Maqedoni.

Po të njëjtat pyetje KTV-ja i ka dërguar edhe te Presidenca e Kosovës. Mirëpo, as ky institucion nuk ka dhënë ndonjë përgjigje, përpos se ka thënë se këto janë informacione të klasifikuara dhe nuk mund t’i komentojnë. Ndërkohë për këtë çështje ende zyrtarisht nuk është deklaruar as Ministria e Punëve të Brendshme.

Mediet e kanë cituar ministrin e Brendshëm, Skënder Hyseni, të ketë thënë se di gjithçka, porse nuk mund ta thotë për opinion.

Në përleshjen e armatosur në Maqedoni humbën jetën 14 persona, shumica prej të cilëve janë nga Kosova. (KD/INA)