[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]
Argëtim
Martesa „për letra“

„Nëpër qytetet evropiane të rinjtë shqiptarë plot jetë dhe energji, shetisin krah për krah me ndonjë plakushë apo invalide, kurse vajzave tona u tretet bukuria dhe rinia duke pritur për një ofertë martese. Ç’tragjedi“!

Atje nënshkruhet një kontratë martese, e këtu në Kosovë, edhe për pesë vjet shtohet ankthi i pritjes. Femrat tona presin e presin, e vitet lënë gjurmët e tyre të pashlyeshme: ato vyshken, fëmijët rriten pa etër, e një ditë, kur ata do të kthehen, ndoshta do të jenë të huaj dhe s’kanë ç’ti thonë më njëri - tjetrit.
E ç’është më e keqja, numri i këtyre martesave „për letra“, shtohet dita - ditës.
Për rubrikën „Përjetime“, kësaj radhe do të rrëfejë një mashkull. Është ky Blerimi 20 - vjeçar, nga Gjilani, të cilin autoritetet gjermane këto ditë e kthyen në Kosovë, pa i lënë kohë as t’i merrte plaçkat e veta. Shkakun do ta mësoni nga goja e tij.

E braktisa shkollën

Isha në vitin e tretë të shkollës së mesme, kur vendosa të shkoja në Gjermani. Në klasën tonë kishim mbetur vetëm tre meshkuj në mesin e 23 femrave. Të gjithë shokët kishin ikur. S’kisha as shoqëri. Më kot u munduan prindërit të më ndalnin, se nuk ishim keq nga gjendja materiale, e kisha një vëlla në Gjermani, por s’mundën të ma thenin mendjen.
Rruga ishtë plot mundime dhe të papritura. Agjenisitë tona premtojnë shumë e pak bëjnë. S’kaloi java qyshse kisha arritur në një qytet gjerman e unë u pendova. Kushtet për beqarët, s’ishin aspak të mira. Flinim pesë vetë në një dhomë të zhveshur, ku kishte edhe minj. Për fat, vëllai më merrte shpesh në banesen e tij, se do të çmendesha. Në këto kushte duhej të rrija edhe gjashtë muaj derisa të më dilte e drejta e punës dhe të vendosesha në banesë tjetër.

U martova „për letra“

Ndërkohë, bëra çmos t’ia tërhiqja vëmendjen një vajze gjermane. Ishte 22 - vjeçare dhe punonte në një dyqan ushqimesh. Pa kaluar muaji që u njohëm, u martuam, edhe pse prindërit e saj s’ishin të kënaqur që vajza e tyre të martohej me një të huaj. Gjatë ceremonisë së martesës, shpenzova shumë, por të gjitha i pagoi vëllai. Kështu u vendosa në banesën e saj të rregulluar bukur dhe me shije dhe gjeta punë në një restoran.

S’kishim asgjë të përbashkët

Sa kaluan ceremonitë e martesës, ajo i caktoi rregullat shtëpiake: gatimin, larjen e enëve dhe të ndërresave, pastrimin e dhomave dhe çdo gjë tjetër duhej t’i bënim bashkë: një ditë unë, një ditë ajo. Në fillim e pata vështirë, por i bëja ashtu si dija vetë të mos kthehesha në atë dhomë neveritëse. Ndoshta për ta kjo ishte e zakonshme, ndoshta ashtu edhe duhet të jetë, por mua më dukej vetja si shërbëtor. U shërbeja edhe mysafirëve të saj. Pastaj nisën mosmarrëveshjet rreth të hollave. Të gjitha shpenzimet i paguanim përgjysmë, e unë s’mund të ndaja asgjë për familjen time. Në Kosovë isha vetëm një herë. Pas tri ditësh më telefonoi të kthehesha, se përndryshe do të m’i prishte letrat.
Ditët monotone kalonin njëra pas tjetrës me grindje e mospajtime. Isha i bindur se s’mund të jetoja pesë vjet me një grua me të cilën s’më lidhte asgjë: as dashuria, as zakonet, as mentaliteti, por shpresoja të mblidhja ca të holla e të mos kthehsha duarthatë në shtëpi.

Më lajmëroi në polici

Më në fund, kisha grumbulluar ca të holla dhe shpresoja t’i nisja për Kosovë, kur ajo propozoi të blenim mobile të reja për gjithë banesën, se ato që kishim gjoja ishin demoduar. Më kot u përpoqa t’ia mbushja mendjen se unë duhej ta ndihmoja familjen, kjo gjë i dukej absurde. Në grindje e sipër,atë e kapi histeria dhe niste të më qëllonte me çdo gjë që i gjendej pranë. Më s’u përmbajta, më hipi gjaku në kokë, e kapa për flokësh dhe e qëllova me grusht në fytyrë. Doli me tërbim dhe pas një ore u kthye me dy policë dhe prindërit e saj të cilët më fyen, më shanë, më quajtën njeri të egër, duke u treguar policëve fytyrën e maviosur të gruas sime. Kurrë s’e kam ndjerë veten më keq dhe kurrë më tepër se atë natë s’dëshirova të isha në shtëpinë time. Në burg më mbajtën tre muaj, derisa vëllai prapë pagoi për mua. Me aeroplanin e parë më kthyen në Kosovë, pa më lënë kohë as t’i mblidhja plaçkat e mia.
S’më vjen keq që më kthyen, qyteti im më duket më i dashur se asnjëherë më parë, por më dhimbsen ato dy vjet të humbura kot.

Fatime BERBATI

[an error occurred while processing this directive]
[an error occurred while processing this directive]